Tifozët e Unitedit me ndjenja të përziera, kurrë më parë s’kanë qenë në pozitë më të sikletshme

Manchester United sot e pret në Old Trafford rivalin e tyre lokal Manchester Cityn në një ndeshje që mund të jetë vendimtare për garën për titull në Premier Ligë


Sot e gjithë vëmendja e botës së futbollit është te derbi i Mançesterit, ku United e pret në shtëpi Cityn.

Dy klubet janë krejtësisht me ambicie të kundërta, United po lufton për top katërshe, derisa City për t’u bërë kampion.

Tifozët e Manchester Unitedit kurrë më parë nuk kanë qenë në një pozitë kaq të sikletshme.

Ata në fund të stinorit mund të mbesin pa kualifikim në Ligë të Kampionëve si dhe do ta shohin njërin nga rivalët e tyre të përbetuar, Liverpoolin ose Cityn duke e ngritur trofeun e Premier Ligës.

Sot tifozët e Unitedit janë me ndjenja të përziera pasi disa preferojnë që skuadra e tyre e zemrës të mposhtet nga City vetëm që Liverpooli të mos shpallet kampion.

“Unë jam tifoz i Unitedit, por do të dëshiroja një barazim ose fitore për Cityn, unë mund të jetoj pa Ligë të Kampionëve nëse kjo do të thotë se Liverpooli nuk do ta fitoj kampionatin,” kështu thotë një tifoz i skuadrës së madhe angleze.

“Si një tifoz i Unitedit mendoj që është turp për disa tifozë të Manchester Unitedit që dëshirojnë të humbasin nga City dhe të rrezikojmë top katërshen. Për mua nuk ka rëndësi se kush e fiton kampionatin, Liverpooli apo City. Nëse ju jeni tifoz i vërtetë i Unitedit nuk do të ju interesonte se kush do ta fitonte,” thotë një tifoz tjetër.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer ka deklaruar para ndeshjes se është i gatshëm për presionin të cilin mund ta bëjë City.

“Jemi të përgatitur për presionin e Cityt. Ata kanë cilësi në mbajtjen e topit, por kur e humbasin atë, ne duhet të jemi të përgatitur për agresivitetin që kanë në ndërhyrje. Të kemi kujdes nga ndonjë shkelm i tyre” ka thënë trajneri norvegjez.

Derisa, Pep Guardiola është shprehur se nuk ka frikë nga Old Trafford më pasi United nuk është një skuadër e fortë siç ishte dikur.

Sonte me fillim nga ora 21:00 e gjithë vëmendja do të jetë në Old Trafford, derisa tifozët e Liverpoolit për herë të parë në jetën e tyre do të bëjnë tifo për Unitedin.