Ardon Jashari pritet të jetë një nga ndryshimet kryesore në formacionin e Zvicrës për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi Granit Xhaka do të mungojë në këtë kamp përfaqësues shkaku i skandalit me vaksinimin.
Sipas mediumit zviceran “Blick”, trajneri Murat Yakin po planifikon ta vendosë Jasharin në mesfushë përkrah Remo Freulerit, duke i dhënë kështu 24-vjeçarit një rol më të rëndësishëm në organizimin e lojës.
Mungesa e Xhakës është një goditje e rëndësishme për Zvicrën, pasi kapiteni është një prej lojtarëve kryesorë në ndërtimin e aksioneve. Për më tepër, Zvicra nuk do ta ketë në dispozicion as Denis Zakarian, i cili është i dëmtuar.
Në këto rrethana, Jashari pritet të marrë më shumë përgjegjësi në mesfushë. Ai tashmë ka përvojë me Kombëtaren zvicerane dhe është aktivizuar edhe në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës, duke luajtur kundër Kolumbisë dhe Argjentinës.
Sipas formacionit të parashikuar nga “Blick”, Jashari do të luajë në një dyshe me Freulerin. Ky i fundit pritet të ketë rolin më të tërhequr dhe të mbulojë pjesën më të madhe të detyrave mbrojtëse, duke i dhënë Jasharit më shumë hapësirë për të marrë përgjegjësi në organizimin e lojës.
Ndërkohë, në sulm pritet të ketë ndryshim tjetër për shkak të mungesës së Breel Embolos, me Winsley Botelin që mund të marrë vendin e tij.
Zvicra do ta nisë fushatën e saj të re në Ligën e Kombeve të shtunën në Shkup, ndaj Maqedonisë së Veriut.