×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet 2025

    Akuzat për manipulim, KQZ: Integriteti i votës s’është i cenuar, pavarësisht vonesave rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta

    Reporteri
    12 Shkurt 2025 | 11:32

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një reagim pas akuzave për manipulim të rezultateve zgjedhore, pas vonesave për shpalljen e rezultateve preliminare. Sipas të dhënave të fundit të këtij institucioni, 21 vendvotime ende nuk janë numëruar.

    Në reagimin e KQZ’së thuhet se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimatare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve, shkruan Reporteri.net.

    “KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi. KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”, thuhet në reagim.

    Lidhur me mosfunksionimin e platformës ditën e zgjedhjeve, KQZ ka njoftuar se i ka bërë thirrje Prokurorisë  së Shtetit dhe institucioneve tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për mbështetje teknike.

    “KQZ është vënë në dispozicion për bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë dhe po punon që të përfundojë numërimi dhe adresimi i çështjeve teknike të mosfunksionimit. Ndërkaq, lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi, KQZ njofton se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë mbrëmë se raportimet që po i marrin nga terreni “dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore”, duke shtuar se do të përdorin të gjithë mekanizmat për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

    Haradinaj ka kërkuar nisjen e hetimeve urgjentisht.

    “I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që me urgjencë të marrin masa dhe të hetojnë manipulimet e deritashme dhe të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të procesit”, përfundon postimi i tij.

    Ai ka thënë se për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk dihen as pas 24 orësh, teksa ka akuzuar Qeverinë Kurti edhe për kapje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./Reporteri.net

    Haradinaj thotë se po manipulohen rezultatet zgjedhore, kërkon masa e hetime të menjëhershme

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!