Është tensionuar situata me protestat në Koçan. Protestuesit hedhin vezë në godinën e Komunës duke thirrur ndaj kryetarit: “Vrasës, dilni jashtë”. Në protestë janë edhe disa nga prindërit e fëmijëve që ishin midis 59 personave që humbën në diskotekën që kaploi zjarri.
“I kemi humbur të afërmit, nuk do ta humbim drejtësinë”, thonë ndër të ata.
Situata është tragjike, dëgjohen vetëm të qara dhe vajtime, prindërit nuk gjejnë qetësi dhe pyesin se si të vazhdojnë të jetojnë pa të dashurit e tyre…
Ata mbajnë fotografi të fëmijëve të vdekur dhe thonë se e kanë blerë vdekjen për një biletë prej 500 denarë.
Një orë pas nisjes së protestës, gjithnjë e më shumë qytetarë u mblodhën për të nderuar, për të kërkuar drejtësi dhe i bënë thirrje kryetarit të Komunës tashmë i dorëhequr që të dalë para të pranishmëve dhe të mos fshihet.
Protesta doli jashtë kontrollit në momentin që turma filloi të thërriste emrin e kryetarit dhe u drejtua drejt godinës së Komunës.
Policia ruan godinën e Komunës. Turma bërtet: “Vrasësit jashtë” dhe godet me vezë. I përplasin derën dhe thërrasin kryetarin të dalë jashtë.
Kujtojmë se, kryetari i Komunës së Koçanit, pas tragjedisë që goditi qytetin ku humbën jetën 59 të rinj, dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij. Këtë informacion ai e ka ndarë personalisht sot në profilin e tij në Facebook.
Babai i njërit prej djemve që e humbën jetën në zjarr, me lot dhe vaj shprehu revoltën e tij ndaj rastit dhe kërkoi përgjegjësi.
“Zot ndëshkoi ata, fëmijët tanë të artë u dogjën si minj”, theksoi ai, duke thënë se nuk ka frikë më nga askush, nuk është më gjallë, prandaj nëse duan mund ta vrasin për atë që thotë.
“Mos kini frikë njerëz, edhe ju keni njerëz që ju kanë vdekur, thoni të vërtetën”, theksoi ai duke bërtitur fashistë.
“Kjo protestë është shprehje e dhimbjes dhe revoltës së thellë për jetët e humbura, por edhe për gjendjen në të cilën ndodhemi si shoqëri. Ne nuk mund t’i kthejmë bashkëqytetarët tanë të dashur, por jemi të detyruar të luftojmë për nder të tyre dhe që ta ndryshojmë këtë sistem joefikas që na ofron siguri, mirëqenie dhe drejtësi”, thuhet në një postim në faqen Koçani (Zëri i Koçanit) në Facebook.