Deputeti i Listës Studentore, Jovo Bakiq, ka drejtuar akuza të rënda ndaj ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ish-pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke e cilësuar qeverisjen e tyre si “regjim të krimit të organizuar”.
Gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, Bakiq kritikoi ashpër fjalimet e Vuçiqit, duke i cilësuar ato si “diarre verbale”, ndërsa paralajmëroi se organet e drejtësisë do të kenë shumë punë për të hetuar veprimtarinë e ish-pushtetit, shkruajnë mediat në gjuhën serbe, transmeton Express.
“Gjatë dy ditëve të fundit patëm një shembull të diarresë verbale në Kuvend. Kjo po derdhej në të gjitha anët, por asgjë e re, pasi kjo ka vazhduar për 14 vjet në pothuajse të gjitha televizionet e këtij vendi”, deklaroi Bakiq, duke iu referuar fjalimeve të Vuçiqit pa ia përmendur emrin.
Ai akuzoi ish-pushtetin për lidhje me grupet kriminale, duke përmendur klanet malazeze Kavaç dhe Shkaljar, si dhe rolin e grupeve të organizuara të tifozëve në veprimtaritë kriminale.
Bakiq përmendi edhe ish-sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dijana Hrkaloviq, për të cilën tha se kishte ushtruar ndikim të madh në këtë ministri dhe se gjatë asaj periudhe ishin kryer vepra të ndryshme penale.
Ai pretendoi se Hrkaloviq ishte falur nga Vuçiqi, pasi ky i fundit, sipas tij, frikësohej se ajo mund të dëshmonte kundër tij para gjykatës.
“Regjimi i Vuçiqit ishte një regjim i krimit të organizuar. Organet hetimore do të kenë duart plot”, tha Bakiq.
Një pjesë të fjalimit të tij, Bakiq ia kushtoi edhe kohës kur Milan Radoiçiqi lejohej të ishte prezent në galerinë e Kuvendit të Serbisë, duke kritikuar faktin se atij i ishte lejuar të ndiqte seanca, ndërsa studentëve u ishte mohuar një mundësi e tillë.
Deputeti i Listës Studentore rikujtoi deklaratat e mëhershme të Vuçiqit, në të cilat Radoiçiqi ishte paraqitur si person që mbronte serbët në Kosovë, pavarësisht se, siç kishte thënë vetë ish-presidenti serb, ai “nuk është lule”.
Duke folur për sulmin e armatosur terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, Bakiq ka deklaruar se veprimet e Radoiçiqit i kishin shkaktuar dëm të madh popullit serb. Ai ka thënë se e gjithë kjo është një turp dhe sipas tij Banjska “ua kishte mundësuar grupeve shqiptare të hynin në Veri”.
Ai rikujtoi edhe deklaratat e mëhershme për Ujmanin, duke përsëritur fjalët: “Nuk e jap Ujmanin! Le të më vrasin!”, për të pyetur më pas se çfarë kishte ndodhur me këtë liqe.