Kryesia e Partisë Popullore Evropiane do të propozojë pezullimin e përkohshëm të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) nga kjo familje politike, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burime brenda këtij grupimi politik.

Propozimi ka të bëjë për pezullim për një afat njëvjeçar. Gjatë kësaj periudhe, SNS-ja do të duhet të përmbushë disa kushte, pas së cilave do të rishqyrtohet anëtarësimi i saj. Për momentin nuk dihet se për cilat kushte bëhet fjalë, ndërsa sipas burimeve të REL-it, hollësitë mund të përcaktohen gjatë mbledhjes së Asamblesë Politike.

Për propozimin për pezullimin e SNS-së do të votohet në Asamblenë e ardhshme Politike të Partisë Popullore Evropiane, e cila do të mbahet në fillim të dhjetorit.

Reklamë

Vendimet merren me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm, ndërsa në rast të barazimit të votave, vota vendimtare është ajo e kryetarit. Abstenimet dhe fletëvotimet e zbrazëta nuk llogariten si vota të vlefshme. Kuorumi arrihet kur është e pranishme shumica e thjeshtë e anëtarëve.

Asambleja Politike është organi kryesor politik i Partisë Popullore Evropiane, i cili ndërmjet kongreseve përcakton qëndrimet dhe orientimet politike të kësaj familjeje politike evropiane. Ajo mblidhet katër herë në vit, miraton mandatet e grupeve të punës, si dhe përgatit dhe miraton dokumente dhe qëndrime politike të partisë për çështje të rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare.

Deklaratat e këtij organi partiak përfaqësojnë qëndrimet zyrtare politike të këtij subjekti.

Partia Popullore Evropiane është familja më e madhe politike e qendrës së djathtë në Evropë dhe përfshin parti kombëtare nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të tjera evropiane. Nga radhët e saj vijnë edhe shumica e udhëheqësve evropianë.

SNS-ja u bë anëtare e asociuar e Partisë Popullore Evropiane në nëntor të vitit 2016. Në shtator të vitit 2025, ky grupim politik nisi procesin e rishqyrtimit të statusit të SNS-së, për shkak të shqetësimeve lidhur me situatën politike në Serbi.

Reklamë

Shqetësimet kanë të bëjnë me protestat pas shembjes së strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad, pretendimet për presion ndaj protestuesve, gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe raportet e Serbisë me Rusinë.

Në shtator të këtij viti, figura të Partisë Popullore Evropiane dënuan madhërimin e figurës së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, i cili vdiq në Hagë më 29 gusht dhe u varros me nderime shtetërore më 7 shtator në Beograd. Asambleja Politike e kësaj partie arriti në përfundimin se këto ngjarje mund të merren parasysh gjatë procesit të rishqyrtimit të anëtarësimit të SNS-së.

Anëtarët vlerësuan se skenat nga varrimi i Mlladiqit ishin thellësisht shqetësuese.

“Në vend që të përballemi me këtë trashëgimi të errët, ne ishim dëshmitarë të nderimeve publike dhe shtetërore në varrimin e tij, pjesëmarrjes së zyrtarëve të lartë serbë, si dhe shprehjes së hapur të mbështetjes në vende publike. Veprime të tilla janë thellësisht shqetësuese dhe në kundërshtim të qartë me vlerat e pajtimit, respektimit të viktimave dhe përgjegjësisë, mbi të cilat mbështetet projekti evropian”, thuhet në deklaratën e miratuar nga Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane.

Reklamë

Po në shtator të këtij viti, kongresisti amerikan, Joe Wilson, nga Partia Republikane i bëri thirrje Partisë Popullore Evropiane që t’ia hiqte statusin e anëtarit të asociuar SNS-së, duke thënë se Vuçiq – në atë kohë president i Serbisë – dhe partia e tij “e korruptuar autoritare” janë kundër qytetërimit perëndimor.

Ai i kishte dërguar një letër udhëheqësit të Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, duke kërkuar që një vendim i tillë të merrej para zgjedhjeve të 25 tetorit. Këto zgjedhje i fitoi Lista Studentore, duke larguar nga pushteti pas 14 vjetësh partinë e Vuçiqit.

Mundësia e pezullimit është informacioni i parë lidhur me rezultatin e rishqyrtimit të statusit të SNS-së që nga nisja e këtij procesi. Deri më tani, Partia Popullore Evropiane nuk ka bërë të ditur se deri ku ka arritur procesi.