×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Dehari fton për konsulta përfaqësuesit e partive para vazhdimit të seancës konstituive

    Reporteri
    19 Prill 2025 | 11:23

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ para vazhdimit të seancës konstituive.

    Takimi është thirrur për në orën 11:30, për t’u dakorduar paraprakisht se si të shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit.

    Thirrjen e këtij takimi e ka konfirmuar për Reporteri.net, deputetja e zgjedhur e PDK’së, Ariana Musliu-Shoshi.

    “Po, në ora 11:30 është thirrur takimi konsultativ”, ka thënë Musliu-Shoshi.

    Edhe Time Kadriaj nga AAK e ka konfirmuar ftesën për një takim të tillë.

    “Po, jemi ftu”, ka deklaruar Kadriaj për Reporteri.net.

    Reporteri.net ka pyetur edhe partitë e tjera për këtë ftesë, mirëpo deri në momentin e publikimit të tesktit s’ka marrë përgjigje.

    Në një takim të tillë, Dehari i kishte ftuar partitë edhe të enjten, mirëpo pasi kishte filluar seanca. Pas përfundimit të atij takimi, raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve s’ishte hedhur fare në votim dhe seanca është ndërprerë.

    Partitë kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokimin e formimit të institucioneve të reja.  PDK, LDK, AAK po insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, duhet të japin dorëheqje formale që të betohen si deputetë dhe nuk duhet të vazhdojnë punën në ekzekutiv.

    Ndërkohë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje. Sipas tij, Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!