×
  • Lajme
  • Lajme / Foto
    INSTANT

    Liderët shqiptarë në mesin e dhjetëra të tjerëve në ceremoninë për Papa Françeskun

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 12:35

    Në mesin e liderëve botërorë të shtunën në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut janë prezentë edhe ata shqiptarë.

    Në meshë janë të pranishëm delegacione nga e gjithë bota, me në krye presidentë si ai SHBA-së, Donald Trump.

    Nga Kosova po marrin pjesë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, kurse nga Shqipëria po merr pjesë presidenti i saj, Bajram Begaj, ndërsa n shkruan Reporteri.net.

    Qeveria e Shqipërisë ka shpallur ditë zie kombëtare, duke e ulur në gjysmështizë flamurin në të gjitha institucionet shtetërore e publike, “në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje”, siç shkruhet në vendimin e datës 24 prill.

    Vatikani thotë se 200,000 njerëz po marrin pjesë në funeralin e Papës në Sheshin e Shën Pjetrit dhe zonën përreth.

    Qeveria italiane dhe Vatikani kanë nisur një plan gjithëpërfshirës sigurie.

    Më shumë se 2 mijë oficerë policie janë vendosur, së bashku me një sistem anti-drone dhe një zonë ndalim-fluturimi 24-orëshe mbi Romë, e cila tashmë është vendosur.

    Vatikani: Papa Françesku është varrosur

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 15:43

    Papa Françesku është varrosur në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, kanë njoftuar nga Vatikani, shkruan CNN.

    “Riti i varrimit të Papës filloi në orën 13:00. me orën lokale në një ceremoni të kryesuar nga kardinali Kevin Farrell, i cili ishte ngarkuar të bënte aranzhimet për funeralin e Françeskut dhe që së shpejti do të ndihmojë në organizimin e një konklava për zgjedhjen e pasuesit të Françeskut“, ka njoftuar Vatikani.

    Derisa ceremonia përfundoi në orën 13:30.

    Françesku është Papa i parë në më shumë se një shekull që u varros jashtë mureve të Vatikanit.

    Trump largohet nga Roma

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 14:03

    Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump janë larguar nga Roma me aeroplanin “Air Force One”.

    Çifti u largua pak kohë pasi përfundoi mesha e funeralit në Vatikan.

    Të premten, para se të nisej në Romë, Trumpi u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se funerali “do të jetë shumë interesant”.

    “Do të takohemi me shumë liderë të huaj – duan të takohemi”, tha Trumpi.

    Sipas asaj që u raportua sot, Trumpi u takua shkurtimisht me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Bazilikën e Shën Pjetrit. Çifti Trump u fotografua edhe me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer.

    Ndërkaq, nga pamjet e siguruara u pa se shtrëngim duarsh pati edhe mes presidentes Vjosa Osmani dhe Trumpit.

    Arkivoli i Papa Françeskut mbërrin në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 13:25

    Arkivoli i Papës ka mbërritur në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë – vendi i fundit i prehjes së Papës.

    Varrimi do të jetë një ngjarje private dhe një mundësi për ata që janë më afër tij për t’i bërë nderimet e fundit.

    Ja një pamje e bazilikës nga brenda:

    Trump me Zelenskyn në Vatikan negociojnë pa “tavolinë” del fotografia nga “takimi produktiv”

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 12:37

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kanë zhvilluar një takim në Vatikan, në prag të ceremonisë së varrimit të Papa Franceskut.

    Shtëpia e Bardhë kur kanë folur për takimin, e kanë përshkruar si mjaft produktiv dhe kanë thënë se detaje të reja do të publikohen në vazhdim.

    Ndërkohë në media tashmë është publikuar edhe fotografia e momentit të takimit mes dy presidentëve.

    Trump që nga ardhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë është duke bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

    Të premten në Rusi ka qëndruar emsiari amerikan Steve Witkoff i cili është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, e që sipas raportimeve, takimi ka qenë i frytshëm.

    Në këtë takim është diskutuar edhe mundësia e aranzhimit të një takimi direkt mes Rusisë dhe Ukrainës.

    Shumë shtrëngime duarsh mes liderëve në funeralin e Papës – përfshirë edhe atë të Trump e Macron

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 11:59

    Në shenjë paqeje, njerëzit në turmën e mbledhur për funeralin e Papa Françeskut inkurajohen të shtrëngojnë duart me ata që janë pranë tyre.

    Në seksionin e personaliteteve në Sheshin e Shën Pjetrit, Presidenti Trump mund të shihet duke shtrënguar duart me ata që janë më të afërt me të – përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron.

    Princi i Mbretërisë së Bashkuar foli shkurtimisht me presidentin amerikan dhe Zonjën e Parë Melania Trump në rrugën e tij për në shërbim, tha Kensington Palace.

    Një duarshtrëngim me Trumpin pati edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para fillimit të ceremonisë. Në këtë funeral nga Kosova po merr pjesë edhe kryeministri në dorëheqje Albin Kurti.

    Ndërkaq, Trump para funeralit ka takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn pas përpjekjeve të intensifikuara së fundi për t’i dhënë fund luftëz në Ukrainë.

    Varrimi i Papa Françeskut, i cili vdiq të hënën e Pashkëve në moshën 88-vjeçare, po bëhet në Vatikan.

    Më shumë se liderë botërorë janë mbledhur në këtë shesh dhe mijëra besimtarë për të bërë nderimet e fundit për Papa Françeskun. /Express/

    Trump dhe Zelensky takohen në funeralin e Papa Françeskut, Shtëpia e Bardhë: Takim produktiv

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 11:28

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka takuar presidentin Ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Vatikan, në prag të ceremonisë së varrimit të Papa Franceskut.

    Reuters duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, raporton se ky takim mes dy presidentëve ka qenë produktiv.

    Steven Cheung, drejtor i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, tha se Trump dhe Zelenskiy “u takuan privatisht sot dhe patën një diskutim shumë produktiv”.

    Më shumë detaje për takimin janë paralajmëruar të jepen më vonë.

    Osmani e Kurti arrijnë në varrimin e Papës: Presidenca publikon pamjet

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 11:10

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka arritur në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, ku po mbahet ceremonia mortore e Papa Françeskut.

    Presidenca ka publikuar pamje nga arritja e Osmanit dhe Kurtit atje.

    Ndërkaq, në mbishkrim thuhet se Osmani po e kryeson delegacionin e Kosovës në këtë ceremoni, kurse më herët, u konfirmua edhe pjesëmarrja e kryeministrit në largim, Albin Kurti.

    “Presidentja Vjosa Osmani arrin në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, kryeson delegacionin e Republikës së Kosovës në ceremoninë mortore për Papë Fraçeskut” – thuhet në njoftim.

    Nis ceremonia mortore e Papa Françeskut: Arkivoli prej druri vendoset në Sheshin e Shën Pjetrit

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 10:47

    Funerali i Papa Françeskut ka nisur dhe arkivoli me trupin e tij është transportuar nga Bazilika e Shën Pjetrit në Sheshin e Shën Pjetrit.

    Shërbimi i varrimit të Papës Françesku këtë mëngjes po udhëhiqet nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re.

    Arkivoli i kreut të Kishës Katolike u mbajt mbi supe nga sediarët, duke dalë nga Bazilika e Shën Pjetrit. Sheshi shpërtheu në duartrokitje. Mbi arkivolin e Papës Françesku është vendosur Ungjilli i hapur.

    10 mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 120 delegacione me përfaqësues fetarë nga e gjithe bota janë të pranishë në ceremoni.

    Sheshi Shën Pjetër është pothuajse i mbushur me kapacitetin maksimal prej 50 mijë vetash.Vlerësohet se rreth 100 mijë persona të tjerë ndodhen tashmë përgjatë rrugës “Via della Conciliazione” dhe në rrugët hyrëse drejt sheshit.

    91-vjeçari italian u shugurua në Dioqezën e Breshias në vitin 1957. Në vitin 2001, Papa Gjon Pali II e shpalli atë kardinal.

    Ai u zgjodh si dekan i Kolegjit të Kardinalëve në vitin 2020 dhe Papa Françesku e zgjati mandatin e tij në shkurt të këtij viti.

    Mori pjesë në konklava e prillit 2005, e cila zgjodhi Papa Benediktin XVI dhe në konklava e marsit 2013, e cila zgjodhi Papa Françeskun.

    Trump mbërrin në Sheshin e Shën Pjetrit, në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 10:43

    Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Melania kanë mbërritur në sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut, shkruan BBC.

    Papa Françesku do të përcillet të shtunën për në banesën e fundit në orën 10 të mëngjesit.

    Më shumë se 200 mijë njerëz pritet të jenë këtë fundjavë në Funeralin e Papa Franceskut në Vatikan ky mes tyre më shumë se 170 delegacione ndërkombëtare.

    Në mesin e liderëve që do të marrin pjesë në Funeralin e Atit të Shenjtë janë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidenti Amerikan Donald Trump, ai francez Emmanuel Macron si dhe dhjetëra liderë të tjerë nga e gjithë bota.

    Sa njerëz do të jenë në funeralin e Papa Françeskut – dhe cilat janë rregullat?

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 10:07

    Më shumë se 200,000 njerëz pritet të marrin pjesë në funeralin e Papa Françeskut, përfshirë rreth 130 delegacione.

    Sipas mediave të huaja, në vitin 2023, rreth 50,000 njerëz morën pjesë në funeralin e Papa Benediktit XVI, i cili ndodhi 10 vjet pasi ai kishte dhënë dorëheqjen në vitin 2013.

    Dhe në vitin 2005, rreth 300,000 njerëz shkuan në funeralin e Papa Gjon Palit II, i cili vdiq në moshën 84 vjeç.

    Atëbotë, rreth katër milionë njerëz mbushën rrugët e Vatikanit, së bashku me 8,000 anëtarë të stafit të sigurisë, përfshirë 2,000 oficerë policie të uniformuar dhe 1,400 oficerë të veshur civilë.

    Siç theksohet më tej, aty ekziston një kod veshjeje, ku burrave u kërkohet të veshin kostum të errët me një kravatë të gjatë të zezë dhe një buton me të njëjtën ngjyrë në jakën e majtë të xhaketës.

    Ata lejohen të veshin këmisha të bardha.

    Ndërsa nga gratë kërkohet të veshin fustane të gjatë të zinj, idealisht deri poshtë gjurit, si dhe doreza dhe një vello në kokë.

    Ndryshe, rreth 50 krerë shtetesh kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, përfshirë Donald Trump.

    Vendet e tyre janë caktuar paraprakisht, me krerët e shteteve që ulen sipas rendit alfabetik francez bazuar në emrin e vendit të tyre, në vend të emrit të individit.

    Kjo vlen për të gjithë përveç presidentëve të Italisë dhe Argjentinës, të cilët marrin vendet më të mira sepse Papa jetonte në Itali dhe ishte me origjinë argjentinase.

    Nello Musumeci, ministri i mbrojtjes civile i Italisë, tha se qeveria kishte vlerësuar se operacioni i saj i sigurisë për të shtunën do të kushtonte të paktën 5 milionë euro. /Telegrafi/

    Biden mbërrin në sheshin e Shën Pjetrit për ceremoninë mortore të Papa Françeskut

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 9:47

    Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në sheshin e Shën Pjetrit me bashkëshorten e tij Jill Biden.

    Funerali i Papa Françeskut do të fillojë për pak më pak se një orë.

    Biden do të ulet me pjesën tjetër të delegacionit nga Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë Presidentin aktual të SHBA Donald Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump.

    Duke qenë se delegacionet do të vendosen sipas rendit alfabetik në frëngjisht, ato në delegacionin amerikan të njohur si “États-Unis” do të vendosen pranë atyre që përfaqësojnë Estoninë dhe Finlandën.

    Sot i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut – në ceremoni do të marrin pjesë edhe udhëheqësit botërorë

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 8:16

    Sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të zhvillohet ceremonia mortore e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 22 prill, në moshën 88-vjeçare.

    Mijëra pelegrinë, besimtarë dhe figura të njohura nga mbarë bota janë mbledhur për të përshëndetur për herë të fundit një nga papët më të dashur të shekullit.

    Ceremonia nis në orën 10:00 të mëngjesit me orën lokale dhe drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve.

    Pritet që rreth 200,000 persona të marrin pjesë në sheshin historik të Vatikanit për të nderuar jetën dhe veprën e Papës, i cili shërbeu për më shumë se një dekadë si udhëheqës i Kishës Katolike.

    Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe delegacionet zyrtare

    Në ceremoni janë të pranishëm mbi 130 delegacione ndërkombëtare, përfshirë rreth 50 kryetarë shtetesh dhe 12 monarkë.

    Ndër figurat kryesore janë Presidenti amerikan Donald Trump, Princi William i Mbretërisë së Bashkuar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe përfaqësues të lartë nga Franca, Gjermania, Argjentina dhe Filipinet.

    Ky pritet të jetë një nga eventet më të rëndësishme diplomatike të vitit, duke reflektuar ndikimin e gjerë të Papa Françeskut në çështje sociale, ndërfetare dhe globale.

    Një varrim jashtë traditës

    Në përputhje me karakterin e tij modest, Papa Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për papët.

    Ai do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë – një vend i shenjtë për të, ku është lutur shpesh gjatë viteve të papatit. Ky është një vendim historik, pasi është hera e parë që një papë varroset jashtë Vatikanit që nga viti 1903.

    Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale dhe ruajtjen e mjedisit. Lamtumira që po i jepet sot në Vatikan është një dëshmi e dashurisë dhe respektit të madh që ai fitoi në mbarë botën./tch

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!