Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit ishin “të shkëlqyera” dhe paralajmëroi për më shumë goditje në të ardhmen, duke i bërë thirrje Teheranit të arrijë një marrëveshje bërthamore me SHBA-në, shkruan Reporteri.net
Në një intervistë telefonike me shefin e korrespondentëve të ABC News në Washington, Jonathan Karl, Trump tha: “Mendoj se ka qenë e shkëlqyer. Ne u dhamë atyre një mundësi dhe ata nuk e shfrytëzuan. U goditën fort, shumë fort. U goditën sa më fort që mund të goditeshin. Dhe ka edhe më shumë që do të vijë. Shumë më shumë.”
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kishin ndonjë rol në sulmin izraelit, Trump u përgjigj: “Nuk dua të komentoj për këtë.”
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përcjell gazeta online Reporteri.net, Trump akuzoi Iranin për dështimin e bisedimeve të gjata për një marrëveshje bërthamore dhe e lidh këtë dështim me vendimin e Izraelit për të ndërmarrë sulmin parandalues.
“I dhashë Iranit shans pas shansi për të bërë një marrëveshje. U thashë, me fjalët më të forta, ‘vetëm bëjeni’, por sado që u përpoqën, sado pranë që ishin, nuk mundën ta përfundonin,” shkroi ai.
Në të njëjtin postim, Trump lëshoi një paralajmërim të ashpër për Teheranin: “Tashmë ka pasur shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë që kjo masakër – me sulme edhe më të egra të planifikuara – të ndalet. Irani duhet të bëjë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Persiane”.