Ministrat e Jashtëm të 20 vendeve arabe dhe myslimane kanë dënuar sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe kanë kërkuar uljen e tensioneve në një deklaratë të përbashkët, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Egjiptit, MENA.

Ministrat e Egjiptit, Jordanisë, Pakistanit, Bahreinit, Bruneit, Turqisë, Çadit, Algjerisë, Komoreve, Emirateve të Bashkuara Arabe, Xhibutit, Arabisë Saudite, Sudanit, Somalisë, Irakut, Omanit, Katarit, Kuvajtit, Libisë dhe Mauritanisë shprehën “shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e rrezikshëm në rajon”.

Në deklaratë thuhet se ministrat “theksuan nevojën për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve dhe parimet e fqinjësisë së mirë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të zgjidhin mosmarrëveshjet me mjete paqësore”.

Reklamë

Ata gjithashtu “theksuan rëndësinë e krijimit të një Lindjeje të Mesme të lirë nga armët bërthamore dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë” dhe bënë thirrje për aderim ndaj Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Izraeli nuk është palë në këtë traktat – një marrëveshje ndërkombëtare që synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore.

Ministrat nënvizuan se konflikti duhet të zgjidhet me diplomaci dhe “nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake”.

/Reporteri.net/