×
  • Lajme
  • Botë / Analiza e BBC

    Konflikti Izrael-Iran, udhëheqësit botërorë përpiqen ta parashikojnë lëvizjen e radhës të Trump

    Reporteri
    17 Qershor 2025 | 22:00

    Udhëheqësit botërorë këtu në G7 duket se po përpiqen të hamendësojnë se çfarë mund ose nuk mund të bëjë Presidenti Donald Trump më tej në Lindjen e Mesme, shkruan BBC, përcjell Reporteri.net.

    Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka deklaruar se liderët kanë“folur” për përfshirjen amerikane.

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer deklaroi më herët, përpara komenteve të fundit të Presidentit amerikan, se Trump nuk kishte thënë asgjë që të tregonte se ai po përgatitej të përfshihej në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.

    Gjërat ndryshuan mjaft shpejt vetëm disa orë pas atyre komenteve.

    Pra, me pak fjalë, G7 po përpiqet të kuptojë se çfarë po planifikon Presidenti Trump, raporton BBC.

    I pyetur nëse do ta mirëpriste një përmbysje të qeverisë nga vetë populli në Iran, Starmer ka thënë se nuk është mbështetës i regjimit në Iran.

    Në pyetjen tjetër, nëse do ta mirëpriste nëse njerëzit do të ngriheshin kundër këtij regjimi, Starmer është përgjigjur:

    “Shiko, nuk është puna ime si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të nis të inkurajoj njerëzit për atë që mund të bëjnë në vendin e tyre. Fokusi im absolut është në nevojën për të de-përshkallëzuar këtë situatë.”

    Për Presidentin e Francës, Emanuel Macron, ndërrimi i regjimit do të sillte “kaos”. Sipas tij, do të ishte një gabim i madh që një ndërrim regjimi në Iran të arrihej përmes mjeteve ushtarake.

    Ai beson se vendet duhet të rikthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar mbi programin bërthamor të Iranit.

    “Besoj se na duhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i rikthejnë të gjithë në tryezën e bisedimeve,” ka deklaruar Macron në Samitin e G7.

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka shprehur mbështetje të fuqishme për Izraelin dhe fushatën e tij ushtarake kundër Iranit, teksa ka folur për mediat gjermane në margjina të samitit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që këtë vit po mbahet në Kanada.

    “Kjo është puna e ndyrë që Izraeli po e bën për të gjithë ne”, ka thënë Merz në një intervistë për transmetuesin ZDF.

    “Edhe ne jemi viktima të këtij regjimi. Ky regjim i mullahëve i ka sjellë botës vdekje dhe shkatërrim”, ka thënë ai.

    Merz ka sugjeruar, gjithashtu, se sulmet izraelite në Iran mund të çojnë në rrëzimin e udhëheqësisë së Republikës Islamike.

    “Besoj se sulmet e ditëve të fundit e kanë dobësuar regjimin e mullahëve dhe nuk e shoh që do të mund t’i kthehen forcës së dikurshme, duke e bërë të ardhmen e shtetit më të paqartë”, ka thënë Merz.

    “Për të qenë i sinqertë, e kam vështirë të imagjinoj se regjimi i mullahëve do t’iu kthehet funksioneve të vjetra. Figura të mëdha të udhëheqësisë ushtarake dhe Gardës Revolucionare Islamike nuk janë më gjallë dhe gjërat nuk do të jenë siç ishin”.

    I pyetur nëse beson që Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në fushatën ushtarake kundër Iranit, Merz ka thënë se beson që “nuk ka vendim ende nga Qeveria amerikane”.

    “Tani varet se sa do të jetë gati regjimi i mullahëve për t’u kthyer në tavolinën e negociatave. Nëse jo, atëherë mund të ketë zhvillime të këtij lloji”, ka thënë ai.

    Trump ka mbledhur ekipin e sigurisë kombëtare në “Situation Room”.

    Takimi erdhi pas disa postimeve të tij në rrjete sociale.

    Fillimisht, Trump deklaroi se tani e kanë nën kontroll të plotë hapësirën ajrore të Iranit.

    “Tani e kemi kontrollin e plotë dhe total mbi hapësirën ajrore të Iranit. Irani zotëronte sisteme të avancuara për gjurmimin ajror dhe mjete të tjera mbrojtëse në sasi të konsiderueshme, por ato nuk mund të krahasohen me pajisjet e prodhuara dhe zhvilluara në Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Trump.

    Më pas dekalroi se ShBA është në dijeni për vendndodhjen e saktë të Liderit Suprem të Iranit, Ali Khameni, por se tani për tani nuk do ta vrasin.

    Trump ka paralajmëruar se durimit të tyre po i vjen fundi, teksa e quajti atë objektiv të lehtë.

    “E dimë saktësisht ku fshihet i ashtuquajturi ‘Lider Suprem’. Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje – nuk do ta eliminojmë (nuk do ta vrasim!), të paktën për tani. Por, nuk duam që raketat të godasin civilët ose ushtarët amerikanë. Durimi ynë po shteron”, ka shkruar Trump.

    Ditë më parë ka pasur raportime se ishte Trumpi ai që e ka ndaluar Izraelin të vrasë Khamenein./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!