Presidenti kroat, Zoran Milanoviq foli para mediave rreth zhvillimeve aktuale në botë.
Referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ai tha se qëndrimi i tij është i ndryshëm nga ai i partisë në pushtet dhe kryeministrit Andrej Plenkoviq.
“Izraeli aktualisht drejtohet nga një klikë kriminale dhe dëshiron ta përfshijë botën në luftë”, tha ai.
“Izraeli mund të bëjë çfarë të dojë, e ka bërë këtë për dekada të tëra. Mendoj se nuk duhet të kemi të bëjmë fare me një shtet të tillë dhe me një udhëheqje të tillë shtetërore. Është thjesht një politikë kriminale që nuk çon askund dhe që, për fat të keq, ka mbështetjen e Washingtonit”, tha Milanoviq në një deklaratë për gazetarët ditën e djeshme, siç raportojnë mediat në Kroaci.
Ai tha gjithashtu se “nuk ka asnjë shqetësim” se çfarë do të mendojnë “ambasada izraelite në Kroaci ose Ministria e tyre e Punëve të Jashtme” për fjalët e tij.
Ai tha se Kroacia duhet ta njohë Palestinën.
Izraeli e filloi konfliktin e tij me Iranin të premten me një sulm ajror të papritur dhe masiv që vrau pothuajse të gjithë komandantët më të lartë ushtarakë të Iranit dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë. Irani u përgjigj me një seri sulmesh ndaj qyteteve izraelite.
Operacioni izraelit në Gaza kundër Hamasit ka vazhduar prej një viti e gjysmë me viktima të shumta civile. /Reporteri.net/
Programi bërthamor i Iranit është i shpërndarë në disa lokacione. Kërcënimi i sulmeve ajrore izraelite ka qenë i pranishëm për dekada të tëra, dhe prandaj disa prej objekteve bërthamore janë të vendosura nën tokë.
Irani e ka zgjeruar programin e tij të pasurimit të uraniumit, duke zvogëluar kohën që do t’i duhej për të prodhuar uranium të mjaftueshëm për një bombë bërthamore.
“Kaq shumë vite pas asaj tërheqjeje, periudhë në të cilën SHBA-në vendosi sanksione ndaj ekonomisë iraniane, Irani ka avancuar ndjeshëm programin e tij. Po pasuron uraniumin në nivele më të larta,” tha Sanam Vakil, Drejtori i Programit të Lindjes së Mesme në “Chatham House”.
Irani tani po pasuron uranium me pastërti 60%, afër 90% të gradës së armëve, në dy vende. Në teori ka material të mjaftueshëm të pasuruar deri në atë nivel për gjashtë bomba, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Natanz, që ndodhet në jug të Teheranit, përmban dy uzina pasurimi: Impiantin e madh nëntokësor të Pasurimit të Karburantit (FEP) dhe Impiantin Pilot mbitokësor të Pasurimit të Karburantit (PFEP).
Një grup opozitar iranian zbuloi në vitin 2002 se Irani po ndërtonte fshehurazi Natanzin, duke ndezur një debat midis Perëndimit dhe Iranit për shkak të qëllimeve të tij bërthamore, që vazhdon edhe sot.
“Izraeli po kërkon që Irani të heqë dorë plotësisht nga programi i tij bërthamor. Kjo është diçka që Irani nuk ka gjasa ta bëjë. Arsyeja pse Irani nuk do të heqë dorë nga ky program është se e sheh veten të cenueshëm ndaj sulmit izraelit,” tha Sanam Vakil.
Irani ka një qendër të madhe të teknologjisë bërthamore në periferi të Isfahanit, qytetit të dytë më të madh. Ai përfshin Uzinën e Fabrikimit të Pllakave të Karburantit (FPFP) dhe Uzinën e Konvertimit të Uraniumit (UCF), që mund të përpunojë uraniumin në heksafluorur uraniumi, i cili futet në centrifuga. Në Isfahan ka pajisje për të prodhuar uranium metalik, që mund të përdoret për të ndërtuar bërthamën e një bombe bërthamore.
Në Iran ka edhe një reaktor kërkimor me ujë të rëndë, të ndërtuar pjesërisht, fillimisht të quajtur Arak dhe tani Khondab. Reaktorët me ujë të rëndë paraqesin rrezik sepse mund të prodhojnë lehtësisht plutonium, i cili, ashtu si uraniumi i pasuruar, mund të përdoret për të bërë bërthamën e një bombe atomike. Sipas marrëveshjes së vitit 2015, ndërtimi u ndal, bërthama e reaktorit u hoq dhe u mbush me beton për ta bërë të papërdorshëm.
I vetmi central bërthamor në funksion i Iranit, në bregdetin e Gjirit, ndodhet në Bushehr dhe përdor karburant rus./tvklan/
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka mbajtur një konferencë të rregullt për shtyp.
Pasi filloi duke folur për temat e brendshme, Leavitt i drejtohet konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.
“E di që ka pasur shumë spekulime… në lidhje me vendimmarrjen e presidentit dhe nëse SHBA do të jetë e përfshirë apo jo”, tha Leavitt.
Më pas, ajo lexoi një citat të drejtpërdrejtë nga Donald Trump, shkruan skynews.
“Bazuar në faktin se ekziston një shans i konsiderueshëm për negociata që mund të zhvillohen ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do të marr vendimin tim nëse do të sulmoj apo jo brenda dy javëve të ardhshme.”
Leavitt tha se “askush nuk duhet të habitet” nga qëndrimi i Trumpit se Irani absolutisht nuk mund të sigurojë një armë bërthamore, duke shtuar se ai ka qenë “pa mëdyshje i qartë për këtë për dekada”.
Kur u pyet nëse Trump ka ndonjë pritje përpara takimit të sekretarëve të jashtëm evropianë me homologun e tyre iranian nesër, Leavitt tha se “e gjithë bota është në anën e presidentit”.
Sekretarja shtoi se mesazhi se Irani nuk mund të sigurojë një armë bërthamore “është diçka për të cilën bien dakord pothuajse i gjithë njerëzimi, përveç vetë regjimit terrorist iranian”.
“Presidenti pret që Evropa t’ua përcjellë këtë mesazh drejtpërdrejt iranianëve”, shton ajo.
NBC News raporton se vetëm 65% e raketave të lëshuara nga Irani në 24 orët e fundit janë interceptuar nga sistemi mbrojtës izraelit ‘Iron Dome’.
Kjo shifër është më e ulët krahasuar me rreth 90% të ditës së mëparshme, sipas një ish-zyrtari të lartë të inteligjencës izraelite, i cili vazhdon të marrë informacione ditore nga qeveria.
“Irani ende disponon raketa shumë të avancuara dhe po i përdor ato,” tha zyrtari për NBC.
Raketat iraniane më të shpejta të lëshuara gjatë ditës së fundit, i kanë dhënë më pak kohë Izraelit për t’u përgatitur para se të mbërrijnë në objektivat e tyre.
“Derisa dje merrnim paralajmërim rreth 10-11 minuta para se raketat të binin, sot në mëngjes ishte vetëm 6-7 minuta,” shtoi ai.
“Më e rëndësishmja, iranianët kanë një sistem navigimi për fazën përfundimtare të sulmit që i ndihmon të jenë shumë të saktë dhe të godasin pikërisht objektivat që dëshirojnë, siç ishte spitali sot në Beersheba”.
Irani mohon se ka sulmuar drejtpërdrejt spitalin, duke pretenduar se dëmtimi u shkaktua nga valë-shoku i një goditjeje ndaj një selie ushtarake pranë tij.
Vendet po evakuojnë shtetasit e tyre nga Izraeli dhe Irani nga ajri, toka dhe deti, ndërsa konflikti shpërthen midis rivalëve të përbetuar.
Ditë të tëra sulmesh dhe hakmarrjesh nga dy armiqtë kanë bllokuar hapësirën ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme, duke ndërprerë pothuajse tërësisht fluturimet komerciale dhe duke ua pamundësuar njerëzve të hyjnë ose të dalin lehtësisht nga rajoni, raporton AP.
Sipas këtij raportimi, thuhet se disa qeveri po përdorin kufijtë tokësorë për të nxjerrë shtetasit e tyre nga rruga drejt vendeve ku aeroportet mbeten të hapura.
Në mesin e të evakuuarve thuhet se ka edhe shtetas të Kosovës.
“Një grup prej 89 bullgarësh u evakuua nga Izraeli me aeroplan në Sofje, së bashku me 59 shtetas nga Sllovenia, SHBA-ja, Belgjika, Shqipëria, Kosova dhe Rumania”.
“Ata u nisën nga qyteti egjiptian i Sharm el-Sheikh, ku ishin transferuar me autobus përtej kufirit nga Izraeli”, thuhet në raportim.
Bullgaria thuhet se ka zhvendosur të gjithë diplomatët e saj nga Teherani në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, tha të enjten kryeministri i vendit ballkanik.
“Ne nuk po e mbyllim ambasadën, por po e zhvendosim atë në Baku derisa të kalojë rreziku”, tha kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazkov.
Ai tha se qeveria u kishte kërkuar të gjithë bullgarëve që dëshironin t’i bashkoheshin konvojit ta bënin këtë. Ata u nisën me 11 automjete të mërkurën në mëngjes.
“Kishte alternativa. Ata mund të udhëtonin përmes Turqisë, por përfundimisht vendosëm që ata duhet të shkonin përmes Azerbajxhanit”, shtoi Zhelyazkov.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka dënuar sulmet ndaj institucioneve shëndetësore në kuadër të përshkallëzimit të tensioneve mes Iranit dhe Izraelit.
“Njoftimet për sulme ndaj shëndetësisë deri tani janë tronditëse,” shkroi Tedros në një postim në platformën X.
Ai përmendi sulmin e mëngjesit të sotëm ndaj Qendrës Mjekësore Soroka në Izrael, si dhe raportimet për vdekjen e punonjësve shëndetësorë të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe në Teheran.
“I bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbrojnë institucionet shëndetësore, personelin mjekësor dhe pacientët në çdo kohë. Ilaçi më i mirë është paqja,” përfundoi ai.
/Reporteri.net/
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u ka bërë thirrje qytetarëve izraelitë të shmangin afërsinë me “objektet ushtarake dhe të inteligjencës”, ndërkohë që Irani vazhdon goditjet ndaj objektivave izraelite.
Në një postim në platformën X, Araghchi deklaroi se ushtria iraniane ka “eliminuar saktësisht” një qendër komanduese, kontrolli dhe inteligjence të Izraelit, si dhe “një objektiv tjetër jetik”, pa zbuluar vendndodhjen.
Ai shtoi se “vala e shpërthimit” shkaktoi “dëme sipërfaqësore” në Qendrën Mjekësore Soroka, pranë objektivit ushtarak, duke pretenduar se aty po trajtoheshin ushtarë izraelitë të plagosur në Gaza. Izraeli ka akuzuar Iranin për goditje direkte ndaj spitalit, ndërsa Teherani këmbëngul se objektivi ishte qendra komanduese ngjitur me të.
“Qindra iranianë të pafajshëm janë vrarë me gjakftohtësi që kur Izraeli nisi luftën e tij të paligjshme kundër popullit iranian javën e kaluar,” tha Araghchi.
“Forcat tona të fuqishme të Armatosura do të vazhdojnë të godasin kriminelët që sulmojnë popullin tonë, derisa ata të ndalojnë dhe të paguajnë për agresionin kriminal kundër kombit tonë,” shtoi ai.
Araghchi pritet të udhëtojë nesër në Gjenevë të Zvicrës për t’u takuar me përfaqësues të tre vendeve evropiane. Një diplomat tha për CNN se bisedimet janë eksploruese, për të “ndjerë atmosferën” dhe për të kuptuar çfarë mund të arrihet.
/Reporteri.net/
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli me gazetarët jashtë Spitalit Soroka në Beersheba, i cili u godit më parë nga një raketë iraniane.
Duke folur për rolin e SHBA-së në rajon, Netanyahu theksoi besimin e tij tek presidenti i SHBA-së Donald Trump:
“Presidenti Trump do të bëjë atë që është më e mira për Amerikën. Unë i besoj gjykimit të tij – ai është një mik i jashtëzakonshëm, një udhëheqës i jashtëzakonshëm botëror, një mik i jashtëzakonshëm i Izraelit dhe popullit hebre”, tha Netanyahu.
“Dhe ne do të bëjmë atë që duhet të bëjmë – dhe po e bëjmë. Ne jemi të përkushtuar për të shkatërruar kërcënimin e shfarosjes bërthamore që varet mbi Izraelin”, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Izrael, shkruan the Guardian.
“Duhet të them se partneriteti me SHBA-në, partneriteti me presidentin Trump, me të cilin flas pothuajse çdo ditë – është i pabesueshëm. Mendoj se vendosmëria e tij dhe qartësia e tij kur thotë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore – është e padiskutueshme”.
“Për ta arritur këtë, Irani nuk duhet të pasurojë uranium. Është kaq e thjeshtë”, vazhdoi Netanyahu.
“Ai u dha atyre një shans për të negociuar, dhe ata vazhduan ta pengonin. Dhe ju nuk duhet ta pengoni Donald Trump – ai e di lojën.”
“Mendoj se të dy jemi të përkushtuar që Irani të mos ketë armë bërthamore. Dhe nuk do të ketë.”
I pyetur nëse SHBAdo t’i bashkohej sulmeve, Netanyahu tha se ishte vetëm vendim i presidentit Trump, por shtoi se SHBA tashmë po ndihmonte shumë, veçanërisht në mbrojtjen e hapësirës ajrore izraelite.
Ai u ankua se djali i tij duhej ta anulonte dasmën e tij dy herë për shkak të alarmeve.
“Djali im Avner duhej ta anulonte dasmën e tij për herë të dytë për shkak të kërcënimeve me raketa.”
Irani ka lëshuar sërish raketa drejt Izraelit sot, njoftoi ushtria izraelite, duke shtuar se “sistemet mbrojtëse janë duke vepruar për të ndaluar kërcënimin.”
Sirenat e alarmit janë dëgjuar në qytetin verior Haifa dhe zonat përreth.
“Publiku kërkohet të ndjekë udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Në këtë moment, Forcat Ajrore të Izraelit janë duke vepruar për të ndërprerë dhe goditur ku është e nevojshme për të eliminuar kërcënimin,” thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Kjo ndodh pasi Izraeli u godit më herët gjatë ditës nga një valë e re raketash iraniane.
/Reporteri.net/
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i ka bërë thirrje Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të tërhiqet nga çdo veprim ushtarak kundër Iranit, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
Starmer theksoi se ekziston një “rrezik real për përshkallëzim” të konfliktit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ndjekin një zgjidhje diplomatike.
“Ka pasur disa raunde bisedimesh me SHBA-në më parë dhe, sipas meje, ky është rrugëtimi për të zgjidhur këtë çështje” – tha Starmer.
Këto komente vijnë në të njëjtën kohë kur Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, ndodhet në Washington për të përcjellë thirrjen e Mbretërisë së Bashkuar për de-përshkallëzim. Ai do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Lammy dhe Rubio pritet të diskutojnë situatën në Lindjen e Mesme.
Ndryshe, sipas raportimeve, Trump po shqyrton mundësinë që t’i bashkohet Izraelit për të sulmuar centralet bërthamore iraniane./Reporteri.net
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, foli për konfliktin në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Irani ka të drejtë të mbrohet.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë përshkallëzimi të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit. Duke theksuar seriozitetin e konfliktit, Erdogan akuzoi udhëheqjen izraelite: “Netanyahu e ka tejkaluar prej kohësh tiranin Hitler në krimin e gjenocidit. Shpresojmë që fati i tyre të mos jetë i njëjtë.”
“Po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndaluar agresionin çnjerëzor kundër Gazës, Sirisë, Libanit, Jemenit dhe Iranit”, shtoi ai, raporton Anadolu.
Duke iu drejtuar shqetësimeve në lidhje me stabilitetin rajonal, Erdogan pohoi se Turqia mbetet vigjilente. “Ne po i monitorojmë me kujdes sulmet terroriste izraelite ndaj Iranit. Të gjitha institucionet tona janë në gatishmëri për shkak të pasojave të mundshme të këtyre sulmeve ndaj Turqisë”, deklaroi ai.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, është pyetur se çfarë nënkupton Irani kur thotë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”, nëse Presidenti amerikan Donald Trump vendos për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë.
Ai ka thënë se kjo “nuk është lufta e Amerikës” dhe nëse Trump përfshihet, do të mbahet mend gjithmonë si një president që hyri në një luftë ku nuk i takonte të ishte, raporton“BBC”, përcjell Reporteri.net.
Khatibzadeh tha se Irani dëshiron diplomaci – por, sipas tij, për sa kohë që bombardimet ndaj Iranit vazhdojnë, “askush nuk mund të angazhohet në negociata”.
“Në momentin që ky agresion ndalet, natyrisht diplomacia është opsioni i parë,” – tha ai.
Sa i përket pyetjes nëse Irani mund t’i përballojë fuqinë ushtarake të SHBA-së, ai tha se ka “unitet kombëtar” përballë çdo agresori të huaj, dhe se nuk ka rëndësi kush ka më shumë forcë – ajo që ka rëndësi është rezistenca./Reporteri.net
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili i quajti “nomadë” deputetët opozitarë që nuk po marrin pjesë në konstituimin e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.
Lushaku-Sadriu e ka akuzuar Kurtin për hipokrizi dhe tentim për uzurpim të institucioneve përmes shkeljes së procedurave dhe cenimit të demokracisë.
Sipas saj, deputetët kanë “shtëpi”, atë që siç thotë ajo dikur Kurti e gjuante me molotov e që sot po përpiqet ta uzurpojë.
“Deputetët kanë shtëpi, atë shtëpi që ti dikur e gjuaje me molotov, atë shtëpi që sot po përpiqesh ta uzurposh, duke tentuar të imponosh vullnetin përmes shkeljes së procedurave dhe cenimit të demokracisë”.
“Është koha, deputet Kurti, ta kuptosh edhe ti se Kuvendi është shtëpia jonë dhe nuk duhet të sulmohet as me fyerje, as me molotov e as me përpjekje për imponim vullneti. Meqë nuk po mundesh, është koha të lëshosh rrugë”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Derisa po merrte pjesë në gurëthemelin e pishinës gjysmë-olimpike publike në Komunën e Podujevës, Kurti para gazetarëve i quajti deputetët e partive tjera politike, “nomadë”, pasi sipas tij, ata që s’po duan të konstituohet Kuvendi, s’duan shtëpinë e tyre, ashtu siç tha ai janë dhe nomadët.
“Tash për tash ata janë në fazën që Republika e Kosovës të ketë Kuvend të Republikës. Nuk ka Kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti sikurse atyre opozitarë. Më lejoni që deputetët opzitarë të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, që ata të kenë shtëpi, ti quaj deputetë nomadik, pasi nomadët janë ata që s’dëshirojnë të kenë shtëpi”, tha Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
/Reporteri.net/
Konflikti Iran-Izrael ka vazhduar prej gati një jave. Ai filloi kur Izraeli lëshoi raketa në Iran të premten e kaluar dhe që atëherë ka pasur shkëmbime zjarri çdo ditë.
Sipas grupit Human Rights Activists me seli në Washington, rreth 585 persona janë vrarë në Iran nga sulmet e Izraelit.
Ushtria izraelite thotë se Irani ka lëshuar 450 raketa balistike dhe qindra dronë që nga e premtja, duke vrarë 24 persona në Izrael.
Hartat më poshtë tregojnë se ku kanë rënë sulmet si në Izrael ashtu edhe në Iran, si dhe një vështrim më të afërt në Teheran, i cili është shënjestruar më shumë se 100 herë, raporton BBC. /Reporteri.net/
Udhëheqësi kinez, Xi Jinping u ka bërë thirrje “fuqive të mëdha” që të ndihmojnë në de-përshkallëzimin e konfliktit me Iranin gjatë një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin — një mesazh i tërthortë drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, i cili po shqyrton përfshirjen e mëtejshme të SHBA-së, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
Sipas njoftimit nga Ministria e Jashtme kineze, Xi tha se “bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht fuqitë e mëdha që kanë ndikim të veçantë mbi palët në konflikt, duhet të bëjnë përpjekje për të ftohur situatën, jo për ta përshkallëzuar atë”.
Gjatë bisedës, Xi u bëri thirrje palëve që të ndalojnë menjëherë përplasjet ushtarake, duke theksuar se “palët në konflikt, veçanërisht Izraeli, duhet të ndalojë zjarrin sa më shpejt për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe për të shmangur me vendosmëri përhapjen e luftës”.
Nga ana e tij, Putin dënoi veprimet e Izraelit kundër Iranit dhe ritheksoi gatishmërinë e Rusisë për të ndërmjetësuar nëse është e nevojshme, gjë që gjeti mbështetjen e liderit kinez.
“Presidenti rus konfirmoi gatishmërinë e Rusisë për të ndërmarrë përpjekje ndërmjetësimi nëse kërkohet. Udhëheqësi kinez shprehu mbështetje për këtë ndërmjetësim, duke e konsideruar atë si një kontribut të mundshëm për uljen e tensioneve,” tha këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Të dy liderët ranë dakord që të mbajnë kontakte të ngushta midis shërbimeve të tyre diplomatike dhe të sigurisë në ditët në vijim, ndërsa u pajtuan se nuk ka zgjidhje ushtarake as për konfliktin aktual, as për çështjen e programit bërthamor iranian — këto, sipas tyre, duhet të zgjidhen vetëm me mjete politike dhe diplomatike.
Një grup hakerësh anti-iranianë me lidhje të mundshme me Izraelin njoftoi të mërkurën një sulm ndaj një prej bursave më të mëdha të kriptomonedhave në Iran, duke shkatërruar gati 90 milionë dollarë dhe duke kërcënuar të ekspozonte kodin burimor të platformës.
Një grup i njohur si Gonjeshke Darande, ose “Harabeli Grabitqar”, mori përsipër sulmin, duke e bërë atë operacionin e dytë të grupit brenda dy ditësh. Të martën, grupi pretendoi se kishte shkatërruar të dhëna në Bankën shtetërore Sepah të Iranit, mes armiqësive në rritje dhe sulmeve me raketa midis Izraelit dhe Iranit.
Sulmi i së mërkurës shënjestroi Nobitex, një nga bursat më të mëdha të kriptomonedhave në Iran. Platforma dyshohet se ndihmon qeverinë iraniane të shmangë sanksionet dhe të financojë operacione të paligjshme në të gjithë botën, pretenduan hakerët në një mesazh të postuar në kanalet e saj të mediave sociale herët të mërkurën.
Faqja e internetit e Nobitex nuk ishte e disponueshme të mërkurën. Mesazhet e dërguara në kanalin e mbështetjes së kompanisë në Telegram nuk u kthyen. Gonjeshke Darande nuk iu përgjigj kërkesave për koment, raporton CBS News.
Gonjeshke Darande është një grup i mirënjohur hakerësh me një histori sulmesh kibernetike të sofistikuara që synojnë Iranin. Një operacion i vitit 2021, i pretenduar nga grupi, shkaktoi ndërprerje të gjera të stacioneve të benzinës, ndërsa një sulm i vitit 2022 që synonte një fabrikë çeliku iraniane shkaktoi një zjarr të madh dhe dëme të prekshme, jashtë linje.
Izraeli nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht se qëndron pas grupit, megjithëse media izraelite e ka raportuar gjerësisht Gonjeshke Darande si “të lidhur me Izraelin”./Reporteri/net/
Ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, konfirmoi të enjten se do të takohet me homologët e tij britanikë, francezë dhe gjermanë, si dhe me diplomatin më të lartë të Bashkimit Evropian të premten në Gjenevë, raportoi media shtetërore iraniane, sipas Reuters.
Ai tha se takimi kishte ardhur me kërkesë të tre shteteve evropiane.
Takimi përfaqëson një përparim të mundshëm diplomatik pas pesë ditësh bombardimesh izraelite, si dhe është takimi i parë diplomatik ballë për ballë që nga fillimi i krizës./Reporteri.net/
Ministri i Mbrojtes së Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, “nuk duhet të lejohet të ekzistojë më”, pas sulmit ndaj spitalit Soroka në jug të Izraelit nga Irani, raporton “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Katz ka thënë se Khamenei dëshiron shkatërrimin e Izraelit.
“Khamenei e deklaron hapur se dëshiron shkatërrimin e Izraelit – ai personalisht jep urdhrin për të qëlluar mbi spitale. Ai e konsideron shkatërrimin e shtetit të Izraelit si një qëllim. Një njeri i tillë nuk duhet të lejohet të ekzistojë më”, ka deklaruar Katz.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar para dy ditësh se e dinë saktë vendndodhjen e Khameneit, por se tani për tani nuk do ta vrasin. Madje, e cilësoi si “target të lehtë”./Reporteri.net
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, do të takohet të premten në Gjenevë të Zvicrës me përfaqësues nga tre vende evropiane, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.
Takimi do të zhvillohet mes Araghchit dhe homologëve të tij nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, si dhe me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, thuhet në raportin që citon vetë Araghchin.
Sipas tij, ky takim është kërkuar nga vendet evropiane.
/Reporteri.net/
Presidenti i Iranit i është drejtuar kombit përmes një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se u ka dhënë udhëzim të gjitha pjesëve të qeverisë që të “shërbejnë Iranit”.
“Të gjitha ministritë dhe agjencitë qeveritare janë ngarkuar me misionin për t’i shërbyer Iranit me të gjithë fuqinë dhe burimet e tyre, në përputhje me durimin dhe mbështetjen tuaj, pa kursyer asnjë shërbim,” ka thënë Masoud Pezeshkian.
“Me hirin e Zotit dhe me ndihmën e empatisë dhe solidaritetit, do t’i kalojmë këto ditë të vështira,” ka shtuar Pezeshkian.
/Reporteri.net/
Siç raporton BBC, vala e sulmeve të mëngjesit të sotëm tregon se Irani, pavarësisht sulmeve izraelite, ende ka aftësinë të lëshojë raketa që depërtojnë në mbrojtjen ajrore dhe shkaktojnë dëme brenda Izraelit. Ky është episodi i parë i këtij konflikti në të cilin sulmet iraniane çuan në pasoja të rëndësishme në tokë, pasi raketat e mëparshme u interceptuan kryesisht ose nuk patën efekt të madh.
BBC thotë se u goditën disa vende, përfshirë Spitalin Soroka në Beersheba, qytetin e Holonit, ku raketa ra midis ndërtesave, dhe Ramat Gan në zonën e madhe të Tel Avivit. Irani pretendon se ka shënjestruar një strukturë ushtarake pranë një spitali në Beersheba, por zëvendësministrja e Jashtme izraelite Sharren Haskel akuzoi Teheranin se e ka shënjestruar qëllimisht spitalin. Për vendet e tjera të prekura, ende nuk është e qartë nëse ato ishin objektiva ushtarake apo civile.
BBC kujton se sulmet iraniane pasuan pothuajse një javë sulmesh izraelite ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore, si dhe infrastrukturës energjetike, aeroporteve, ndërtesave qeveritare dhe zonave të banimit në Iran. Teherani i quan sulmet një luftë agresive dhe pretendon se po mbron vetëm veten.
Si i justifikojnë izraelitët sulmet ndaj Iranit?
Nga ana tjetër, autoritetet izraelite e justifikojnë operacionin duke pretenduar se Irani i është afruar “pikës pa kthim” në zhvillimin e armëve bërthamore. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është ekskluzivisht për qëllime civile dhe paqësore, dhe zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar së fundmi se Teherani ende nuk ka marrë një vendim për të zhvilluar armë bërthamore.
Këto sulme vijnë në një kohë delikate, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump po shqyrton mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane në fushatën e Izraelit kundër Iranit. BBC deklaron se autoritetet izraelite dhe avokuesit e ndërhyrjes ushtarake mund t’i përdorin këto sulme si presion mbi Trumpin për të vepruar.
Irani ka kërcënuar tashmë objektivat ushtarake amerikane në rajon, me Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei që ka hedhur poshtë thirrjet e Trump për “dorëzim”. BBC paralajmëron se aleatët e Iranit dhe grupet e ndërmjetësuara në Irak dhe Jemen gjithashtu mund të nisin sulme, duke e përhapur më tej konfliktin.
Deri më tani, përpjekjet për të ulur tensionet nuk kanë dhënë rezultate dhe mesazhi nga Jerusalemi është se sulmet izraelite do të vazhdojnë me intensitet të shtuar./Reporteri.net/
Ministri i Mbrojtes së Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khaemeni, do të “mbahet përgjegjës” për sulmin ndaj spitalit Soroka në Izrael.
Katz ka njoftuar se ushtria do t’i internsifikojë sulmet ndaj Iranit, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
“Këto janë disa nga krimet më të rënda të luftës – dhe Khamenei do të mbahet përgjegjës për veprimet e tij”, ka deklaruar Katz.
Ai shtoi se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu kanë urdhëruar ushtrinë të “intensifikojë sulmet kundër objektivave strategjike në Iran dhe kundër infrastrukturës energjetike në Teheran, me qëllim që të eliminohen kërcënimet ndaj shtetit të Izraelit dhe të tronditet regjimi i Ajatollahëve”./Reporteri.net
Gazeta “Times of Israel” raporton se Irani hodhi afërsisht 30 raketa balistike drejt Izraelit të enjten në mëngjes, sipas vlerësimeve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Në shënjestër ishin të përfshira spitali Soroka në Izraelin jugor, si dhe Holoni dhe Ramat Gan në Izraelin qendror.
Sipas raportimeve, dhjetëra persona janë lënduar, me disa me lëndime të rënda. /Reporteri.net/
Ngushtica e Hormuzit – kjo ngushticë detare është itinerari më i rëndësishëm i anijeve për transportin e naftës. Hormuzi midis Omanit dhe Iranit lidh Gjirin Persik dhe shtetet eksportuese të naftës Bahrein, Kuvajt, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Oqeanin Indian.
Anijet çisternë mbërrijnë këtu nga shumë vende të botës. Shumica transportojnë naftën bruto nga rajoni i Gjirit Persik për në Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Pika më e rëndësishme e këtij itinerari është ajo ndërmjet Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, brezi më i ngushtë me një gjerësi prej 55 kilometrash, dhe korsia e lundrimit për anijet e mëdha është vetëm 3,7 kilometra.
Ngushtica e Hormuzit kyç për sigurimin e interesave strategjike të Iranit në rajon.
Edhe në të shkuarën në kontekstin e sanskioneve ndërkombëtare ndaj Iranit, Teherani vazhdimisht ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës Hormuz. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në konfliktin aktual. Dawood Nazirizadeh, ekspert në fushën e ekonomisë nga Teherani, thekson se: „Në rast se ngushtica e Hormuzit përfshihet në këtë luftë, është një rrezik i madh për të gjithë ekonominë botërore. Qeveria e Iranit e konsideron këtë rrugë detare si çelësin kryesor për sigurimin e interesave strategjike në rajon në jug të Iranit dhe të Gjirit Persik. Nëse ndodh diçka në këtë drejtim, ky do të ishte kërcënim i madh për ekonominë botërore në tërësi.”
Përmes rrugës së Hormuzit transportohet një e pesta e konsumit botëror të naftës
Hormuzi zë vendin e dytë ndër itineraret më të rëndëishme në botë për transportin e naftës si rruga Malacca dhe Kanali i Suezit.
Një humbje nga bllokimi i kësaj rruge detare si pasojë e konfliktit aktual do të ishte e vështirë të kompensohej. Pasoja do të ishin rritja e çmimit të naftës e benzinës, që gjithësesi ditët e fundit janë shtrenjtuar.
Po ashtu mund të krijoheshin ngushtica në zinxhirin e furnizimeve për shumë produkte nga nafta. Prishja e këtij zinxhiri mund t’i krijojë vështirësi ekonomisë në shumë vende të botës./DW
Shërbimet e emergjencës në Izrael po trajtojnë të paktën 32 persona për lëndime pas raundit të fundit të sulmeve të Iranit, sipas shërbimit të emergjencës izraelite Magen David Adom (MDA).
Dy persona, një burrë rreth 80 vjeç dhe një grua rreth 70 vjeç raportohet se janë në gjendje të rëndë, ndërsa 30 persona të tjerë kanë lëndime të lehta.
Spitali Soroka në qytetin jugor izraelit të Beershebas është goditur nga një raketë balistike, thanë zyrtarët izraelitë, pasi Irani nisi valën e fundit të sulmeve ajrore hakmarrëse në vend.
Pamjet e paverifikuara në mediat sociale treguan njerëz që vraponin nëpër korridore të mbushura me pluhur dhe mbeturina dhe mjekë që qëndronin jashtë mes rrënojave të ndërtesës.
Iranian ballistic missile impact at Soroka Hospital in Beersheba https://t.co/8ih9H2QXUf pic.twitter.com/CxIfjLgMBq
— Emanuel (Mannie) Fabian (@manniefabian) June 19, 2025
Pas sulmit, kryeministri i izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar me tone të ashpra.
“Tiranët e Teheranit do të paguajnë një çmim të rëndë”, deklaroi Netanyahu në një komunikatë zyrtare të shpërndarë për mediat, duke e quajtur Iranin një regjim terrorist që po shënjestron civilët izraelitë.
Sipas kryeministrit izraelit, raketat iraniane u lëshuan kundër spitalit Soroka, një nga institucionet më të mëdha mjekësore në jug të vendit, si dhe kundër popullsisë civile në qendër të Izraelit, përfshirë zona si Tel Aviv dhe Jeruzalem, ku u raportuan shpërthime dhe dëme të konsiderueshme.
Netanyahu e cilësoi këtë akt si një sulm barbar dhe të paprecedentë ndaj infrastrukturës civile, duke nënvizuar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe do të veprojë me vendosmëri për të ndaluar agresionin iranian.
Një zëdhënës i spitalit raportoi “dëme në spital dhe dëme të mëdha në zona të ndryshme u dëgjuan gjithashtu në Izraelin qendror me disa goditje të tjera të drejtpërdrejta të raportuara. Shpërthime u dëgjuan mbi Tel Aviv dhe Jerusalem./Reporteri.net/
Zëvendësministrja e Jashtme e Izraelit e ka quajtur sulmin e Iranit ndaj Spitalit Soroka “të qëllimshëm” dhe “kriminal”.
Sharren Haskel, duke postuar në X, thotë se vendi që u godit “nuk është një bazë ushtarake”, por “një spital”, duke shtuar se kjo është qendra kryesore mjekësore për të gjithë rajonin Negev të Izraelit.
Ajo gjithashtu ndan një video që duket se tregon dëmet brenda spitalit.
“Bota duhet të flasë”, thotë Haskel.
Mjekët në Izrael po trajtojnë të paktën 32 persona për lëndime pas raundit të fundit të sulmeve të Iranit, sipas shërbimit të emergjencës izraelite Magen David Adom (MDA). /Reporteri.net/
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do ta sulmojë vendin, raporton media amerikane CBS, raporton BBC.
Sipas një burimi të lartë të inteligjencës, Trump ka shtyrë urdhrin për sulm në pritje të një mundësie që Irani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Në qendër të diskutimeve është një goditje e mundshme ndaj objektit bërthamor nëntokësor të Fordo-s, ku Irani pasuron uranium.
Nga ana tjetër, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka refuzuar prerazi kërkesën e Trump për një “dorëzim të pa kushte”.
Në një fjalim të regjistruar të mërkurën, Khamenei deklaroi se “çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të kishte një kosto të lartë” dhe shtoi se “kombit iranian nuk do t’i imponohet dorëzimi”.
Trump, në një prononcim për mediat të mërkurën, deklaroi: “Mund ta bëj, mund edhe të mos e bëj”, kur u pyet nëse SHBA do të angazhohej ushtarakisht në Iran. Ai shmangu sërish dhënien e detajeve për planet e tij, duke thënë: “Askush nuk e di çfarë do të bëj.”
Raketat iraniane kanë goditur spitalin Soroka në qytetin jugor izraelit të Beershebas.
Spitali besohet se është goditur drejtpërdrejt, raporton CNN.
Një zyrtar ushtarak izraelit thotë se tre vende të tjera në zona civile janë goditur gjithashtu në breshërinë e fundit të Iranit.
Shërbimet e emergjencës thonë se janë në rrugën e tyre drejt vendeve të raportuara të sulmit.
Dhjetëra raketa u qëlluan në sulm, duke aktivizuar sirenat në pjesën më të madhe të Izraelit, sipas zyrtarit ushtarak izraelit.
Raportohet për “dëme të mëdha”,
Një zëdhënës i Qendrës Mjekësore Soroka në Beersheba se ka njerëz të plagosur.
Spitali u ka kërkuar banorëve të mos vijnë për trajtim.
Shpërthime janë dëgjuar gjithashtu në Tel Aviv dhe Jerusalem. /Reporteri.net/
Izraeli ka nisur një operacion ushtarak ajror ndaj Iranit, që për qëllim ka shkatërrimin e potencialit bërthamor të Teheranit.
E pyetur mbi rrezikun potencial të një sulmi të mundshëm iranian ndaj Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, si një prej vendeve të pakta që ka hapur selinë e saj diplomatike në këtë qytet, përfaqësuesja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv tha se nuk sheh ndonjë kërcënim.
“Nuk shoh ndonjë kërcënim specifik për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem. Ambasada është e mbrojtur së bashku me të gjitha zyrat e Qeverisë Izraelite, Ambasadën Amerikane dhe Ambasadat e tjera sipas të njëjtave standarde dhe mbrojtje”, deklaroi Ambasadorja Ziv.
Për më tepër, diplomatja izraelite tha se ka biseduar me qytetarë të Kosovës që banojnë në Izrael, dhe theksoi se të njëjtit kanë thënë se planifikojnë të mbesin atje.
“Kam folur me një numër qytetarësh kosovarë që banojnë në Izrael dhe të gjithë më thanë se planifikojnë të qëndrojnë në Izrael”, tha Ziv per Klan Kosova.
Megjithatë, sipas saj, “ata që duan të largohen, Ambasada e Kosovës në Jerusalem po i ndihmon me të gjitha informacionet dhe asistencën e disponueshme”.
Përfaqësuesja e Shtetit të Izraelit në Kosovë tha se pret që sapo të qetësohen gjërat, vendin e saj do ta vizitojnë turistët dhe biznesmenët kosovarë “për të shijuar një qëndrim të qetë në Izrael”.
New York Times raporton se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka refuzuar mundësinë e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, por një zyrtar i lartë iranian ka deklaruar se Teherani është i hapur për të takuar të dërguarin e Presidentit Trump apo edhe zv/Presidentin JD Vance.
Deklarata sinjalizon një gatishmëri të mundshme të Iranit për të hyrë në bisedime për armëpushim, nëse Izraeli ndalon sulmet e tij ushtarake.
Kjo lëvizje përbën një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për të ulur tensionet në rritje në Lindjen e Mesme.