Pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran, reagimet ndërkombëtare kanë qenë të shumta, veçanërisht nga vendet arabe të rajonit.
Omani, i cili ka shërbyer si ndërmjetës në bisedimet bërthamore mes Uashingtonit dhe Teheranit, dënoi ashpër sulmet. Shteti i Gjirit deklaroi se “shpreh shqetësim të thellë, dënim dhe kundërshtim ndaj përshkallëzimit të situatës si pasojë e sulmeve të drejtpërdrejta ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara”, përcjell Reporteri.net.
Arabia Saudite, një aleate e ngushtë e SHBA-së me lidhje të forta në fushën e sigurisë, dënoi “shkeljen e sovranitetit të Iranit dhe theksoi nevojën për përmbajtje”, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare “të dyfishojë përpjekjet në këto rrethana jashtëzakonisht të ndjeshme për të arritur një zgjidhje politike”.
Katarit, përmes ministrisë së jashtme, paralajmëroi se tensionet aktuale “të rrezikshme do të sjellin pasoja katastrofike në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”. Në deklaratë thuhet gjithashtu se “shpresojmë që të gjitha palët të tregojnë urtësi dhe përmbajtje në këtë moment”.
Egjipti paralajmëroi për “rrezikun që rajoni të rrëshqasë edhe më thellë në kaos dhe tension”, duke theksuar se “zgjidhjet politike dhe negociatat diplomatike, jo zgjidhjet ushtarake, janë e vetmja rrugëdalje nga kjo krizë”.
Ndërkohë, Presidenti libanez Joseph Aoun deklaroi se “bombardimi i objekteve bërthamore iraniane rrit ndjeshëm frikën nga një përshkallëzim i tensioneve që do të rrezikonte sigurinë dhe stabilitetin në më shumë se një rajon apo shtet”.
/Reporteri.net/