×
  • Lajme
  • Botë

    Trump: Iranit ia hoqëm bombën nga duart

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 21:10

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se përmes sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane “ua ka marrë bombën nga duart”, Iranit, ndërsa thotë se ata “do ta përdornin nëse do të mundnin”, shkruan Reporteri.net.

    Trump ndërkaq ka sulmuar ashpër kongresmenin republikan Thomas Massie, i cili kishte vënë në dyshim kushtetutshmërinë e sulmeve ajrore amerikane ndaj Iranit.

    Presidenti amerikan përmes një postimi në rrjetin Truth Social, e quajti Massie “një njeri mendjengushtë që kërkon vëmendje, një humbës të mjerë, të dobët dhe mosrespektues ndaj ushtrisë sonë të lavdishme”.

    Postimi i tij i plotë:

    Kongresmeni Thomas Massie nga Kentucky nuk është MAGA, edhe pse i pëlqen të thotë se është. Në fakt, MAGA nuk e do atë, nuk e njeh dhe nuk e respekton. Ai është një forcë negative që pothuajse gjithmonë voton “JO”, pavarësisht se sa e mirë mund të jetë diçka.

    Ai është një “shfaqës i madh” mendjelehtë që mendon se është politikë e mirë që Irani të ketë armë bërthamore të nivelit më të lartë, ndërsa në të njëjtën kohë bërtet “VDEKJE AMERIKËS” në çdo rast që i jepet.

    Irani ka vrarë dhe gjymtuar mijëra amerikanë, dhe madje ka marrë kontrollin e Ambasadës Amerikane në Teheran nën Administratën Carter. Patëm një sukses spektakolar ushtarak dje, duke ua marrë “bombën” nga duart (dhe ata do ta përdornin nëse do të mundnin!), por, si zakonisht, dhe pavarësisht të gjitha lëvdatave dhe vlerësimeve të marra, ky kongresmen “i lehtë” është kundër asaj që u arrit në mënyrë kaq brilante mbrëmë në Iran.

    Massie është i dobët, joefektiv dhe voton “JO” për pothuajse çdo gjë që i është vënë përpara (Rand Paul, Jr.), pavarësisht se sa e mirë mund të jetë diçka. Ai nuk tregon respekt ndaj ushtrisë sonë të madhe dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson, duke mos pranuar as shkëlqimin dhe trimërinë e tyre në sulmin e djeshëm, i cili ishte një FITORE e plotë.

    Massie duhet të heqë dorë nga akti i tij i rremë dhe të fillojë ta vendosë Amerikën në vend të parë, por ai nuk e di se si të shkojë atje, nuk ka idenë! Ai padyshim do të votojë kundër Projektligjit të Madh, të Madh, të Bukur, edhe pse mosmiratimi do të thotë një rritje e taksave prej 68% për të gjithë, dhe shumë gjëra shumë më të këqija se kaq.

    MAGA duhet ta heqë qafe këtë HUMBËS patetik, Tom Massie, si murtaja! Lajmi i mirë është se do të kemi një Patriot Amerikan të mrekullueshëm që do të kandidojë kundër tij në zgjedhjet paraprake republikane, dhe unë do të jem në Kentucky duke bërë fushatë shumë të fortë. MAGA nuk ka të bëjë me politikanë dembelë, madhështorë dhe joproduktivë, një prej të cilëve është padyshim Thomas Massie.

    Faleminderit ushtrisë sonë të jashtëzakonshme për punën e MREKULLUESHME që bënë mbrëmë. Ishte vërtet e VEÇANTË!!! BËJENI AMERIKËN TË MADH PËRSËRI.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!