Forcat Ajrore të Izraelit kanë zhvilluar një tjetër raund sulmesh intensive ndaj Iranit, duke goditur objektiva ushtarakë në Kermanshah, në Iranin perëndimor, në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Sipas njoftimit zyrtar të ushtrisë izraelite, 20 avionë luftarakë morën pjesë në operacion, duke shënjestruar struktura për magazinimin dhe lëshimin e raketave, si dhe sisteme radarësh dhe komunikimi satelitor, transmeton BBC.

Bastisjet e fundit përbëjnë një nga sulmet më të rënda ajrore të këtij konflikti, ndërsa Izraeli është zotuar të vazhdojë goditjet për të penguar aftësitë raketore të Iranit.

Reklamë

Përgjigjja e Teheranit deri më tani ka qenë e kufizuar. Irani ka lëshuar vetëm një raketë gjatë natës, e cila u rrëzua nga sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore. Alarmet për sulm ajror u aktivizuan në Izrael rreth orës 03:00 të mëngjesit me orën lokale. Ndërkohë, një dron iranian u rrëzua pranë qytetit bregdetar të Eilatit.

Zyrtarët izraelitë e konsiderojnë përgjigjen modeste të Iranit si një tregues të dobësimit të kapaciteteve të tij ushtarake pas dhjetë ditësh bombardimesh të vazhdueshme.

Megjithatë, ekziston mundësia që udhëheqja iraniane po pret kohën e duhur për të planifikuar një kundërpërgjigje të kujdesshme ndaj sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së.