×
  • Lajme
  • Botë

    A i mbron NATO aleatët? Trump kërkon ripërkufizimin e nenit 5

    Reporteri
    25 Qershor 2025 | 8:04

    Neni 5 i traktatit të Aleancës Veri-Atlantike mund të rishikohet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme. Kështu ka bërë të ditur Presidenti amerikan Donald Trump në udhëtimin e tij për në Samitin e NATO-s në Hagë.

    I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj klauzolës së Nenit 5 të NATO-s, Trump u tha gazetarëve në Air Force One: “Varet nga përkufizimi juaj. Ka përkufizime të shumta të Nenit 5. E dini këtë, apo jo? Por, unë jam i përkushtuar të jem miku i tyre. Jam i përkushtuar për të shpëtuar jetë. Jam i përkushtuar ndaj jetës dhe sigurisë. Dhe do t’ju jap një përkufizim të saktë kur të arrij atje. Thjesht nuk dua ta bëj këtë në pjesën e pasme të një aeroplani”.

    Të mërkurën, udhëheqësit e NATO-s pritet të bien dakord zyrtarisht për një objektiv të ri shpenzimesh për mbrojtjen prej 5 përqind të produktit të brendshëm bruto, një rritje e ndjeshme nga niveli aktual prej 2 përqind dhe diçka që Trump e ka kërkuar prej muajsh.

    Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka këmbëngulur publikisht se objektivi i ri nuk është hartuar “për një audiencë prej një personi”, një mesazh privat dhe lavdërues i zbuluar nga vetë Trump thekson se koreografia e tubimit është hartuar kryesisht për t’i siguruar Presidentit amerikan një fitore dhe për ta penguar atë të braktisë aleancën.

    “Donald, na ke çuar në një moment vërtet, vërtet të rëndësishëm për Amerikën, Evropën dhe botën. Do të arrish diçka që ASNJË president amerikan nuk mund ta bënte në dekada”, shkroi Rutte, sipas mesazhit të bërë publik nga vetë Donald Trump.“Evropa do të paguajë shumën që duhet dhe kjo do të jetë fitorja jote”.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përgëzoi gjithashtu Presidentin amerikan për “veprimin e tij vendimtar në Iran”.

    Trump tha gjithashtu se foli me presidentin rus Vladimir Putin. I pyetur në bordin e Air Force One në lidhje me shkëmbimin e vazhdueshëm të raketave me rreze të gjatë veprimi midis Iranit dhe Izraelit, Trump zbuloi një telefonatë të kohëve të fundit me udhëheqësin rus dhe se ai ende po kërkonte të arrinte një marrëveshje me shefin e Kremlinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!