×
  • Lajme
  • Botë

    Ruanda dhe Kongo nënshkruajnë marrëveshje paqeje në Washington

    Reporteri
    27 Qershor 2025 | 21:53

    Ruanda dhe Republika Demokratike e Kongos kanë firmosur një marrëveshje paqeje në Shtetet e Bashkuara, në një përpjekje për të dhënë fund dekadave të konflikteve të dhunshme midis fqinjëve afrikanë dhe për të hapur mundësi ekonomike për SHBA-në, veçanërisht në sektorin e mineraleve.

    Marrëveshja parasheh “çangazhimin, çarmatimin dhe integrimin e kushtëzuar” të grupeve të armatosura që operojnë në lindje të Kongos, një zonë prej kohësh e përfshirë në konflikt të vazhdueshëm.

    Megjithëse detajet e plota ende nuk janë publikuar dhe historikisht marrëveshjet e ngjashme në rajon kanë dështuar, presidentët Donald Trump dhe Félix Tshisekedi e kanë cilësuar këtë si një sukses historik.

    “Një ditë e madhe për Afrikën dhe botën!” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social menjëherë pas nënshkrimit fillestar të marrëveshjes, ndërsa Zyra e Presidentit Tshisekedi e përshkroi atë si “suksesin më të rëndësishëm në më shumë se 30 vjet”.

    Dokumenti u nënshkrua në Departamentin Amerikan të Shtetit nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve. Ndërkohë po diskutohet një takim i mundshëm në Uashington mes presidentëve Tshisekedi, Paul Kagame të Ruandës dhe Donald Trump, megjithëse data ende nuk është vendosur.

    Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit rajonal dhe mund të forcojë pozicionin strategjik të SHBA-së në Afrikë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!