×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT
    INSTANT

    Arrestohet një serb në festën e Vidovdanit, nuk iu bind urdhërave të Policisë

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 11:27

    Është arrestuar një serb derisa po mbahet festa e Vidovdanit në Gazimestan.

    Politikani nga partia ‘Demokracia Serbe’, Stefan Velkoviq është larguar nga hapësirat e Gazimestanit me një veturë të Policisë së Kosovës.

    Ai refuzoi të lirojë këtë hapësirë pasi iu kërkua nga ana e Policisë.

    Policia e Kosovës thotë se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”.

    Me këngë nacionaliste e thirrje “Kosova është Serbi”, përfundon festa e Vidovdanit, shoqërohen në polici disa serbë

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 14:52

    Policia e Kosovës ka shoqërua disa serbë në Gazimestan, pasi raportohet se kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë bërë thirrje si “Kosova është Serbi” gjatë manifestimit të Vidovdanit. Kjo ka ndodhur në përfundim të tubimit.

    Ndërsa, dy shtetas serb janë shoqëruar nga Policia e Kosovës, ku njëri kishte provokuar me pistoletë të plastikës ndërsa tjetri mbante të veshur një bluzë me foton e Aleksandër Arsenijeviq, të dyshuarit për krime lufte. I njëjti dyshohet se ka penguar disa zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës.

    Përveç Policisë së Kosovës, në terren janë edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale, si dhe përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët kanë monituruar këtë ngjarje.

     

    Policia ende nuk ka dalë me njoftim zyrtar për numrin e saktë të personave që janë shoqëruar.

    Vidovdani festohet tradicionalisht edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rit fetar, si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës

    Policia konfiskon një ‘armë plastike’ nga një serb në Gazimestan

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 14:16

    Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë plastike nga një qytetar serb.

    Kjo ka ndodhur në Gazimestan, atje ku serbët janë mbledhur për manifestimet e Vidovdanit.

    Edhe Slavko Simiq pjesë në ceremoninë e Vidovdanit

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 14:00

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Srpska, Slavko Simiq, ka marrë pjesë në ceremoninë për shënimin e Vidovdanit që u mbajt sot në Gazimestan bashkë me anëtarë tjerë të partisë.

    Në të kaluarën, pjesëtarë të kësaj partie nuk patën marrë pjesë në festimet për Vidovdanin në Gazimestan, por vetëm në liturgjinë në Manastirin e Graçanicës.

    Dhjetëra serbë shkuan sot atje për këtë ngjarje, ndërsa Policia e Kosovës mbajti rendin me prezencë të shtuar.

    Ky manifestim kaloi pa incidente.

    Shënimi i Vidovdanit: Numër i madh i policisë, prezent edhe Njësia Speciale e Kosovës

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 12:46

    Me rastin e shënimit të festës serbe të Vidovdanit, në Gazimestan, janë vendosur forca të shumta sigurie për të garantuar mbarëvajtjen.

    Përveç Policisë së Kosovës, në terren janë edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale, si dhe përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët po monitorojnë nga afër aktivitetet që po mbahen.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.

    Kolona të gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, shkak shënimi i Vidovdanit

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 12:33

    Serbët janë mbledhur në Gazimestan,  në periferi të Prishtinës për të festuar Vidovdanin.

    Shënimi i kësaj feste nga serbët, ka bërë që të krijohen kolona në një nga rrugët kryesore të vendit.

    Kolona të gjata janë krijuar në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, shkruan Reporteri.net.

    Festimet për Vidovdanin: Policia e Kosovës raportohet se ka arrestuar një person në Graçanicë

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 11:35

    Policia e Kosovës ka arrestuar V.P., organizatorin e një udhëtimi pelegrinazhi nga Beogradi.

    Grupi që ishte i udhëhequr prej tij, kishte të veshur bluza me mesazhe politike “Serbia e Bashkuar”, dhe me ngjyrat kuq, kaltër dhe bardhë.

    Ndalimi i V.P. u bë në prani të pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Inspektoratit Policor, raporton Kossev.

    Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, nuk deshi të japë sqarime për mediat lidhur me arsyet e ndalimit të V.P.-së. Ai i referoi të gjithë gazetarët tek zyra për media e Policisë së Kosovës.

    Sipas raportimeve nga gazetarët e Radio Kim që ndodhen në vendngjarje, në terren janë të pranishme forca të shtuara të Policisë së Kosovës, si dhe pjesëtarë të KFOR-it të shpërndarë me disa automjete në pika të ndryshme të Graçanicës

    Serbët nisin kremtimet e Vidovdanit

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 11:09

    Grupe serbësh janë drejtuar për në Graçanicë për të nisur festimet e atij që njihet si Vidovdan.

    Qytetarë serbë të Kosovës qysh mëngjesin e së shtunës janë mbledhur në Manastirin e Graçanicës.

    Është paralajmëruar se gjatë ditës në Gazimestan do të vijnë edhe grupe serbësh nga rajoni.

    Policia e Kosovës po ashtu është te manastiri dhe po siguron që situata të jetë e qetë. Aty qëndron edhe KFOR-i.

    Policia e Kosovës po ashtu është te manastiri dhe po siguron që situata të jetë e qetë. Aty qëndron edhe KFOR-i.

     

    Serbët fillojnë të mblidhen për Vidovdan, Policia me siguri të madhe

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 10:57

    Serbët kanë nisur të mblidhen në Gazimestan,  në periferi të Prishtinës. për të festuar Vidovdanin.

    Ndërsa në vendin ku do të zhvillohet kjo ngjarje, gjendet Policia e Kosovës e cilapo kontrollon serbët që kanë nisur të mblidhen.

    Serbët po kontrollohen një nga një.

    Serbët fillimisht janë mbledhur në Manastirin e Graçanicës, e më pas do të vazhdojnë në manifestimin në Gazemistan, afër Obiliqit, për të kryer rituale fetare, si përkujtim i Betejës së Kosovës.

     

    Sot shënohet festa e Vidovdanit, Policia me apel: Shmangni provokimet

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 8:13

    Serbët do të shënojnë sot festën e Vidovdanit, e cila do të kremtohet në Gazimestan, në periferi të Prishtinës.

    Policia e Kosovës thotë se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”.

    Ajo ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të manifestojnë të qetë e të shmangin provokimet.

    “Lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, të cilat pritet të mbahen me 28 qershor 2025, Policia e Kosovës (PK), me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Policia ka bërë me dije se kanë mbajtur takim zyrtar lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan.

    “Nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim”, bëhet e ditur tutje në njoftimin policor.

    Tutje, thuhet se nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

    “Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në apelin që policia i ka drejtuar pjesëmarrësve në këtë manifestim.

    Po ashtu, kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në fund të këtij njoftimi të shpërndarë nga Policia e Kosovës.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare, e cila tradicionalisht organizohet nga serbët më 28 qershor në Gazimestan. Kurti tha se ndonëse kjo ditë ka karakter fetar, ajo fatkeqësisht është keqpërdorur nga autoritetet e Beogradit për të përcjellë retorikë politike, nxitëse dhe kërcënuese ndaj sigurisë publike në Kosovë.

    “Beogradi zyrtar që po përballet me protesta gjithandej të studentëve dhe jo vetëm po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiqeveritare e antiregjim të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive të nxisin incidente në Gazimenstan”, tha Kurti.

    Ai tutje tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, janë duke u bërë përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Kryeministri tha se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të ardhur në Kosovë, dhe se këto grupe tradicionalisht kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithashtu janë kundër vlerave demokratike dhe evropiane.

    “Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë që të respektojnë ligjin dhe të moslejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme”, ka theksuar Kurti.

    Ai tha se tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin.

    “Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin dhe jo të shndërrohen në një mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë ta eksportojnë krizën e brendshme politike përmes provokimeve në Kosovë, vetëm për t’u paraqitur më pas si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre dhe të serbëve në Kosovë përmes narracioneve propagandistike dhe klero-nacionaliste. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve dhe nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë, rendin sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!