×
  • Lajme
  • Botë

    Skandal në shkollën elitare franceze, mbi 200 raste abuzimi ndaj fëmijëve

    Reporteri
    01 Korrik 2025 | 10:19

    Një nga skandalet më tronditëse të arsimit francez është zbuluar në shkollën elitare katolike Notre-Dame de Bétharram, në jug të Francës, ku qindra ish-nxënës kanë denoncuar dhunë fizike, përdhunime dhe abuzime seksuale sistematike që kanë ndodhur nga viti 1957 deri në 2004-ën.

    Pascal Gélie, një nga viktimat, kujton se shkolla e promovuar si vend për sport dhe miqësi u shndërrua në një “terror absolut”. Sipas tij fëmijët rriheshin deri në humbje të ndjenjave, detyroheshin të qëndronin jashtë në të ftohtë për orë të tëra dhe u nënshtruan poshtërimeve të vazhdueshme.

    “Ishim 40 vetë në një konvikt me dyshekë të shkatërruar. Kur i pëshpërita një djali tjetër të më jepte letër higjienike për në banjë, kujdestari më kapi nga fytyra dhe më tregoi tarracën prej guri jashtë. Dikush më tha të merrja pallton sepse mund të detyroheshim të qëndronim jashtë për orë të tëra në të ftohtë dhe lagështi. Mua më lanë të qëndroja atje gjithë natën. Ky ishte vetëm fillimi, goditje të rregullta në kokë, fëmijë të goditur aq fort sa që përfundonin me gjak. Pashë një djalë që iu këputën flokët nga rrënjët. Një tjetër u godit aq fort, sa humbi 40% të dëgjimit. Ndonjëherë na detyronin të qëndronim në këmbë pranë shtratit për orë të tëra gjatë natës sepse dikush kishte pëshpëritur, ose na përmbysnin shtratin ndërsa ishim brenda. Ishte terror i vërtetë”, tha Gélie, tani një punonjës zyre 51-vjeçar nga Bordo.

    Një tjetër dëshmi është e Boris-it, tashmë 51 vjeç, i cili tani punon në menaxhimin e eventeve.

    “Bétharram ishte si një supermarket për grabitqarët seksualë, dhe ata nga ne që u abuzuam seksualisht apo u përdhunuan shpesh kishin të njëjtin profil: fëmijë të brishtë me prindër të ndarë ose të vdekur”, tha ai.

    Ai vinte nga një familje e varfër me një prind të vetëm në Bordo dhe u dërgua në Bétharram në moshën 13-vjeçare, në mënyrë ironike sepse nëna e tij donte ta mbronte. Në moshën 12-vjeçare, ai ishte shënjestruar nga një grup abuzuesish në Bordo që u bënë miq me të në pishinën lokale dhe e abuzuan seksualisht për disa muaj.

    Disa nga rastet më të rënda përfshijnë priftin Pierre Silviet-Carricart, i akuzuar për sulme seksuale ndaj nxënësve të mitur, njëri prej të cilëve ishte abuzuar pikërisht në ditën e varrimit të babait. Carricart u arrestua, por më vonë u lejua të largohej në Romë, ku kreu vetëvrasje.

    Më shumë se 200 kallëzime ligjore janë depozituar, ku 90 përfshijnë dhunë seksuale ose përdhunim. Vetëm dy prej tyre kanë çuar deri tani në akuza penale, pasi shumica kanë kaluar afatin e parashkrimit.

    Skandali po godet edhe sferën politike franceze, pasi kryeministri François Bayrou, ish-ministër i Arsimit dhe prind i disa nxënësve në këtë shkollë, është pyetur nga parlamenti nëse kishte dijeni për abuzimet dhe nëse i kishte mbuluar ato. Ai ka mohuar çdo përfshirje.

    Ndërkohë, një grup ish-nxënësish kanë nisur një fushatë ndërkombëtare për të kontaktuar të prekurit në vende ku rendi Bétharram ka vepruar, si Britania, Brazili, Tajlanda dhe Bregu i Fildishtë.

    Kjo ngjarje pritet të sjellë një valë reformash ligjore, me ish-nxënësit që kërkojnë heqjen e afateve për denoncimin e abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve.

    Një raport parlamentar me 50 rekomandime për parandalimin e dhunës në arsim pritet të publikohet këtë javë, duke theksuar dështimin e shtetit për të mbrojtur fëmijët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!