Danimarka merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian për 6 muaj duke premtuar se do ta drejtojë bllokun përmes një peizazhi global të trazuar duke rritur sigurinë, konkurrueshmërinë dhe autonominë strategjike.
Duke marrë këtë rol, Danimarka do të udhëheqë Këshillin e BE-së deri më 31 dhjetor, në një moment kritik të shënuar nga paqëndrueshmëria ndërkombëtare, rivaliteti ekonomik dhe konfliktet e vazhdueshme. Nën sloganin “Një Evropë e Fortë në një Botë në Ndryshim”, Presidenca Daneze synon të rrisë aftësinë e bllokut për të vepruar në mënyrë të pavarur, duke promovuar njëkohësisht vlerat demokratike dhe reformën e brendshme.
Përgatitja e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe vendeve të tjera si Moldavia dhe Ballkani Perëndimor dhe një marrëveshje midis vendeve të BE-së mbi objektivat e planifikuara të bllokut për klimën deri në vitin 2040, do të kryesojnë gjithashtu agjendën e vendit nordik në këtë presidencë të radhës.
Në një konferencë për shtyp në qershor, ministrja e Çështjeve Evropiane të Danimarkës tha se do t’i jepte përparësi përparimit në negociatat me Ukrainën përballë bllokimit të negociatave nga Hungaria.
“Siguria ka të bëjë edhe me zgjerimin, me shtete të reja anëtare, sepse na duhet një Evropë më e qëndrueshme dhe një Evropë me peshë më të fortë gjeopolitike. Dhe kjo është arsyeja pse ne do t’i japim përparësi përparimit në negociatat me Ukrainën në veçanti, e cila po lufton për lirinë,” tha Marie Bjerre ministre për Çështjet Evropiane.
Në sferën ekonomike, Danimarka do të udhëheqë bisedimet mbi buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së, inovacionin industrial dhe rritjen e sektorit të gjelbër. Financimi i mbrojtjes dhe plani ReArm Europe do të mbeten një përparësi kryesore. Në politikën e migracionit, Danimarka pritet të promovojë rregulla më të ashpra të azilit të BE-së, duke reflektuar modelin e saj kufizues në nivel kombëtar, duke përfshirë propozimet për të kontraktuar përpunimin e kërkesave të azilit te vendet e treta.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përshëndeti presidencën e re, duke shkruar në X: “Mirë se vini në presidencën daneze @eu2025dk. Ju uroj suksese për gjashtë muajt e ardhshëm. E dashur Mette @statsmin, mezi pres bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe shihemi në hapjen zyrtare të presidencës në Aarhus këtë javë!”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu postoi një mesazh mbështetjeje, duke thënë: “Një mirëseardhje shumë e ngrohtë Danimarkës, ndërsa ajo fillon Presidencën e saj të Këshillit të BE-së. Pres me padurim të punojmë së bashku për një Evropë të sigurt dhe konkurruese. Me pragmatizmin dhe lidershipin danez, Evropa është në duar të sigurta.”
Zyrtarizimi i presidencës daneze do të zhvillohet të enjten me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe mbretin e mbretëreshën daneze që do të marrin pjesë në event në Aarhus.