×
  • Lajme
  • Botë / Temperaturat ekstreme

    9 të vdekur në Evropë nga i nxehti dhe zjarret

    Reporteri
    02 Korrik 2025 | 18:23

    Vala e të nxehtit që ka mbërthyer Evropën ka shkaktuar të paktën 9 viktima në dy ditët e fundit.

    Pesë persona vdiqën në Itali nga temperaturat ekstreme, që i kaluan 40 gradë. Këtë të martë, dy të moshuar të moshës 60 dhe 75 vjeç humbën jetën në Sardenjë. Në 20 qytete në Itali janë shpallur si zona të kuqe.

    Në Francë, Ministria e Shëndetësisë raportoi se dy persona vdiqën pas sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë e këtyre ditëve, duke shtuar se “mbi 300 persona u ndihmuan pas thirrjeve emergjente”.

    Temperaturat e larta ndikuan në aktivizimin e zjarreve në Spanjë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave të moshës 32 dhe 45 vjeç në rajonin e Katalonjës. Rreth 20 mijë banorëve iu kërkua të qëndronin brenda në shtëpi për disa orë, derisa zjarri i përhapur të vihej nën kontroll. Autoritetet thanë se zjarri dogji 6,500 hektarë tokë bujqësore.

    Qershori që kaloi ishte muaji më i nxehtë në histori, duke kapur temperatura maksimale deri në 46 gradë Celsius në Spanjë dhe në Portugali.

    Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, duke u rritur me dyfishin e mesatares globale, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Kopernikus të BE-së. Ky trend po shkakton që temperaturat e larta të shfaqen më herët gjatë vitit dhe të zgjasin më shumë në muajt e vjeshtës.

    Sipas Swiss Re, nga nxehtësia ekstreme e motit humbin jetën deri në 480,000 njerëz çdo vit në të gjithë botën, shifër kjo që tejkalon numrin e përgjithshëm të viktimave nga përmbytjet, tërmetet dhe uraganet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!