Në kënetat e Floridës, të populluara nga aligatorë, krokodilë dhe gjarpërinj, është ngritur një qendër e re burgimi për emigrantët ilegalë, e quajtur “Alkatrazi i Aligatorëve”.
Bëhet fjalë për një burg që mund të presë deri në 5 mijë persona dhe që, sipas vlerësimeve të mediave amerikane, do të kushtojë 450 milionë dollarë në vit.
Teknikisht bëhet fjalë për një vend qëndrimi në pritje të dëbimit, por që, sikurse ka njoftuar komandanti i përgjithshëm, mund të jetë më i ashpër se Alkatrazi origjinal.
Prej kohësh Trump ka hedhur idenë për të riparuar burgun e sigurisë së lartë në gjirin e San Franciskos për ta kthyer në qendër për burgimin e emigrantëve, sikurse ka ndodhur në Guantanamo.
Por për momentin do t’i duhet të kënaqet me strukturën e ngritur në kohë rekord nga ish-kundërshtari i tij, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.
“Kanë bërë një punë të shkëlqyer. Është një projekt kontradiktor, parimi i të cilit është: nëse një i burgosur tenton arratinë, ai do të masakrohet nga një aligator apo krokodil”, ka thënë Trump.
Por kjo kontradiktë, kreut të shtetit pak i intereson. “Nuk dua t’ia di fare. Nuk është diçka e bukur, por është kështu”, ka vijuar ai, duke ofruar edhe një këshillë se si t’u shpëtosh parazitëve grabitqarë.
“Duhet të vraponi me zigzag-e. Në këtë mënyrë, shanset tuaja për të mbijetuar rriten me 1 për qind”, ka shtuar me humor presidenti amerikan.
Struktura është ngritur në një ish-aeroport dhe ndodhet pak kilometra nga rezidenca verore e Trump, Mar a Lago. Se si do të funksionojë, kjo ende nuk dihet.