Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka deklaruar se udhëheqës botërorë dhe ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë po i drejtohen atij për këshilla dhe se po e inkurajojnë të mbetet aktiv në politikë, raporton portali amerikan “HuffPost”, përcjell Reporteri.net.
Gjatë një fjalimi në San Diego, në një aktivitet të organizuar nga Shoqata për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SHRM), Biden tha se edhe pse nuk është më në detyrë, vijon të jetë i angazhuar pas skenave.
“Qëndrova i përfshirë sepse më interesonte vërtet ajo që po bëja. Shumë nga gjërat për të cilat punova kaq shumë dhe që besova se ndryshuan vendin, tani po ndryshojnë me shpejtësi,” tha ai, duke iu referuar deklaratave të Trump për punën e tij.
Biden zbuloi gjithashtu se po telefonet nga liderë botërorë.
“Po marr telefonata. Nuk mund të futem në detaje. Nga disa udhëheqës europianë që më kërkojnë të përfshihem. Nuk po përfshihem drejtpërdrejt, por po jap këshilla. Sepse bota ka ndryshuar. Shpesh pyes: nëse Amerika nuk e udhëheq botën, kush mund ta bëjë? Gabimet sot kanë pasoja shumë më të mëdha sesa 50 vjet më parë.”
Ai shtoi: “Si mund të tërhiqem thjesht ashtu? Nuk më shihni shpesh publikisht, por po flas me shumë demokratë dhe republikanë që duan të më konsultojnë – jo sepse mendojnë se kam përgjigjet, por sepse duan të diskutojnë.”
Biden gjithashtu tha se po punon intensivisht për një “memoir” prej 500 faqesh për presidencën e tij, duke u përqendruar në ndikimin që ajo pati në ShBA dhe në botë./Reporteri.net