Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë sot ndaj Fikrim Damkës, Ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal. Aktakuza ndaj tij është ngritur për keqpërdorim të detyrë apo autoritetit zyrtar.
Damka, dhe sekretari i përgjithshëm i MZHR-së, Besim Kamberaj, i cili në kohën kur dyshohet se u krye vepra penale ishte ushtrues i detyrës, po akuzohen për tejakalim kompetencash ligjore me qëllim të përfitimit të dobësisë pasurore për dy organizata jo qeveritare, “Caritas Zviceran” dhe “Germin”. Kjo e fundit është themeluar nga deputetja e Vetëvendosjes, Liza Gashi, e cila është edhe zëvendësministre në detyrë e Punëve të Jashtme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Se Gashi është themeluese dhe ka drejtuar një kohë këtë OJQ, kjo figuron edhe në biografinë e publikuar në webfaqen e MPJD’së.
“Ajo është themeluese dhe ish-drejtoreshë ekzekutive e GERMIN-it, një organizatë joqeveritare rajonale udhëheqëse që specializohet në angazhimin e komuniteteve të diasporës për të avancuar zhvillimin dhe demokratizimin e vendeve të tyre të origjinës”, thuhet në biografinë e saj.
Sipas Prokurorisë, Dama dhe Kamberaj kanë dëmtuar kështu buxhetin e shtetit për mbi 1 milion euro, gjatë periudhës nga 16 gushti i vitit 2021 e deri më 24 mars të vitit 2022.
“Sipas aktakuzës të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike”, pretendon Prokuroria.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv./Reporteri.net
