Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, njëherësh zëvendësministre në detyrë e Punëve të Jashtme ka thënë se nuk është subjekt e as palë në aktakuzën ndaj ministrit Fikrim Damka.
Ajo ka reaguar në redaksinë e gazetës online Reporteri.net në lidhje me publikimin e artikullit: “Damka dyshohet se dëmtoi mbi 1 milionë Euro buxhetin e shtetit për përfitim financiar të organizatës së themeluar nga deputetja e VV-së”, që ka të bëjë me ngritjen e aktakuzës ndaj Ministrit Fikrim Damka, dhe sekretarit të përgjithshëm të MZHR-së, Besim Kamberaj, të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Për të shmangur çdo keqkuptim: Unë, Liza Gashi, nuk jam subjekt dhe as palë në asnjë proces gjyqësor që ka të bëjë me këtë çështje. Që nga viti 2020, nuk kam ushtruar asnjë funksion apo rol në organizatën GERMIN, në asnjë kapacitet. Po ashtu, nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë memorandumi të nënshkruar me CARITAS-in, as në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, as si Zëvendësministre dhe as në ndonjë kapacitet tjetër. Për këtë arsye, kërkoj që ky lajm i pavërtetë të demantohet menjëherë dhe të bëhet një kërkim-falje publike dhe largohet foto ime nga dizajni juaj“, thuhet në reagimin e Gashit të ardhur në e-mail adresën e gazetës online Reporteri.net.
Artikulli në fjalë, në asnjë rast nuk pretendon se Gashi është subjekt i aktakuzës, por vetëm shpërfaq faktin se zv. Ministrja në detyrë është themeluese dhe ka qenë ish-drejtoreshë ekzekutive e njërës prej organizatave që dyshohet se kanë përfituar jashtëligjshëm nga buxheti i shtetit, përmes Ministrit Damka dhe Sekretarit Kamberaj.
Dy organizatat që dyshohet së kanë përfituar nga të akuzuarit, sipas Prokurorisë Speciale, kanë përfituar mbi 1 milionë Euro nga buxhetit i shtetit.
Në fund të reagimit, Liza Gashi paralajmëron se në rast se mediumi nuk plotëson kërkesën e saj “në të kundërtën, kam autorizuar avokatin tim të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe imazhit tim“.
Reagimi i plotë:
Përshëndetje redaksi e Reporterit,
Për të shmangur çdo keqkuptim: Unë, Liza Gashi, nuk jam subjekt dhe as palë në asnjë proces gjyqësor që ka të bëjë me këtë çështje.
Që nga viti 2020, nuk kam ushtruar asnjë funksion apo rol në organizatën GERMIN, në asnjë kapacitet. Po ashtu, nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë memorandumi të nënshkruar me CARITAS-in, as në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, as si Zëvendësministre dhe as në ndonjë kapacitet tjetër.
Për këtë arsye, kërkoj që ky lajm i pavërtetë të demantohet menjëherë dhe të bëhet një kërkim-falje publike dhe largohet foto ime nga dizajni juaj: https://reporteri.net/lajme/damka-dyshohet-se-demtoi-mbi-1-milione-euro-buxhetin-e-shtetit-per-perfitim-financiar-te-organizates-se-themeluar-nga-deputetja-e-vv-se/
Në të kundërtën, kam autorizuar avokatin tim të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe imazhit tim.
Ju faleminderit për mirëkuptimin,
Liza Gashi
