Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, i ka reaguar shefit të Teslës dhe asaj SpaceX, Elon Musk, pasi ky i fundit njoftoi dje krijimin e një partie të re politike në ShBA.
Bessent tha se Musk duhet të fokusohet në drejtimin e kompanive të tij dhe se bordet e kompanive të tij me shumë gjasë do të preferonin që shefi i tyre të qëndronte jashtë politike.
“Imagjinoj se ato borde drejtuese nuk e pritën mirë këtë njoftim të djeshëm (të shtunën) dhe do ta inkurajojnë atë të fokusohet në aktivitetet e tij të biznesit, jo në ato politike” tha Bessent, shkruan Reutters.
Musk, i cili shërbeu si këshilltar i lartë i Trump për shkurtimin dhe ristrukturimin e qeverisë federale gjatë muajve të parë të presidencës së tij, tha se partia e tij e re do të përpiqet në zgjedhjet afatmesme të vitit të ardhshëm të rrëzojë ligjvënësit republikanë në Kongres që mbështetën masën e gjerë të njohur si “ligji i madh”.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj drejtpërdrejt fjalëve tëMusk, por tha se miratimi i ligjit tregon se Partia Republikane është në formë të mirë.
“Si udhëheqës i Partisë Republikane, Presidenti Trump e ka bashkuar dhe zgjeruar partinë në një mënyrë që nuk e kemi parë ndonjëherë më parë,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Fields.
Musk shpenzoi miliona dollarë për të mbështetur përpjekjen e Trumpit për rizgjedhje në vitin 2024 dhe, për një kohë, shfaqej rregullisht përkrah presidentit në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë dhe gjetkë.
Mospajtimi i tyre për ligjin e shpenzimeve çoi në një përçarje, të cilën Musk u përpoq ta rregullonte, por pa sukses./KlanKosova