×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    IPK konfirmon raportimin e gazetës Reporteri, 5 policë suspendohen për dhunën policore të ushtruar në rastin në Lipjan

    Reporteri
    07 Korrik 2025 | 18:04

    Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar raportimin e gazetës online Reporteri.net për suspendimin e pesë zyrtarëve policor për rastin e vdekjes së 27 vjeçarit, A.Z në orët e para të mëngjesit në Lipjan.

    Sipas një komunikate të IPK-së, hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .

    “Në kuadër të veprimeve hetimore përfshihet edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okular të këtij rasti si dhe ka filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil. Që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti por edhe mënyrës së reagimit policor. Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor( përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    IPK bën me dije suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.

    “IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor. IPK rikujton opinionin e gjerë se rastet e kësaj natyre trajtohen me prioritet të lartë dhe çdo përgjegjësi eventuale individuale apo edhe institucionale do të adresohet bazuar në të gjeturat e hetimit dhe autorizimet ligjore të IPK-së dhe ligjeve të tjera në Republikën e Kosovës.”, thuhet në komunikatë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!