Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë për protestën e paralajmëruar për sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e cila lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Policia ka bërë të ditur se do të ketë prani të shtuar të njësive policore para, gjatë dhe pas protestës, ndërsa në varësi të situatës në terren mund të ketë edhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit.
Sipas Policisë, pas zhvillimeve të mbrëmshme, ku protestues të caktuar hodhën mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë, njësitë policore përdorën sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
Policia ka njoftuar se gjatë protestës së mbrëmshme janë arrestuar tre persona. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Si pasojë e zhvillimeve, sipas të dhënave zyrtare të Policisë, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë ose protestues dhe një gazetar, të cilët po ashtu kanë marrë trajtim mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se, pas veprimeve të ndërmarra gjatë protestës, ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si autoritet kompetent, për vlerësimin e çdo dyshimi të mundshëm për tejkalim të autorizimeve policore.
Institucioni ka theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime dhe protesta të qeta, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Për menaxhimin e situatës, sipas Policisë, janë angazhuar edhe ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe institucionet e tjera emergjente.
Policia ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë e pranishme në terren për të garantuar sigurinë publike, rendin, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës së sotme.