×
  • Lajme
  • Botë

    Akropoli mbyllet përkohësisht për shkak të të nxehtit

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 13:26

    Akropoli do të qëndrojë i mbyllur të martën, për shkak të temperaturave shumë të larta që kanë përfshirë Greqinë.

    Ministria e Kulturës në Greqi njoftoi se monumenti i njohur në Athinë do të mbyllet nga ora 13:00 deri në 17:00, sipas kohës lokale.

    Temperatura deri në 42 gradë Celsius priten të martën në disa pjesë të Greqisë, ndërsa për disa rajone është shpallur alarmi i nivelit katër për zjarre – që nënkupton rrezik shumë të lartë.

    Zjarre tashmë kanë shpërthyer edhe në vende të tjera të Evropës, si Franca dhe rajoni i Katalonjës në Spanjë, pak javë pasi këto zona u përballën me një valë të të nxehtit që shkaktoi edhe viktima.

    Mbyllja e Akropolit të martën – kur në qytet priten temperatura deri në 38 gradë Celsius – nuk ndodh për herë të parë.

    I nxehti ekstrem e ka detyruar mbylljen e këtij atraksioni të njohur edhe në qershor, edhe në korrikun e kaluar.

    Autoritetet thanë se mbyllja bëhet për “sigurinë e punëtorëve dhe vizitorëve” në këtë vend, i cili vizitohet nga dhjetëra mijëra njerëz çdo ditë.

    Gjatë vitit 2024, atë e vizituan gjithsej 4.5 milionë njerëz.

    Ministria e Punës e Greqisë ka vendosur tashmë edhe një ndalesë të detyrueshme të punës për pesë orë për punëtorët që punojnë jashtë, në zonat ku temperaturat pritet të jenë të larta.

    Vala aktuale e të nxehtit do të vazhdojë deri të mërkurën, me temperatura që do të arrijnë deri në 40-42 gradë Celsius në jug të vendit. Pastaj, nga e enjtja, temperaturat pritet të bien gradualisht.

    Një valë e fortë nxehtësie goditi pjesën perëndimore dhe jugore të Evropës në fillim të kësaj vere, duke shkaktuar evakuime masive dhe shkatërrime të shtëpive dhe bizneseve.

    Sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, valët e të nxehtit janë duke u shtuar për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

    Ai paralajmëron se moti i nxehtë do të bëhet më i shpeshtë dhe më intensiv në të ardhmen, ndërsa temperatura globale vazhdon të rritet./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!