×
  • Lajme
  • Botë / Video

    Publikohet audioincizimi nga një aktivitet privat, Trump: I thashë Putinit se do të bombardoja Moskën nëse pushton Ukrainën

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 8:01

    Presidenti amerikan Donald Trump u tha donatorëve të mbledhur në një aktivitet privat në vitin 2024 se e kishte kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin se do të “bombardonte Moskën” nëse ai do të pushtonte Ukrainën, sipas një regjistrimi audio të publikuar nga CNN .

    “I thashë Putinit: ‘Nëse shkon në Ukrainë, do të bombardoj Moskën. Nuk kam zgjidhje tjetër’”, dëgjohet të thotë Trump në një regjistrim nga eventi i mbledhjes së fondeve, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

    Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se i kishte dërguar një mesazh të ngjashëm Presidentit kinez Xi Jinping, duke e paralajmëruar atë se SHBA-të do të bombardonin Pekinin nëse Kina pushtonte Tajvanin. “Ai mendonte se isha i çmendur”, tha Trump për Xi. “Por ne kurrë nuk patëm problem”, shtoi tutje ai.

    Trump iu referua bisedave të tij me Putinin dhe Xi-në, ndërsa argumentoi se do të kishte shmangur konfliktet në Ukrainë dhe Gaza nëse do të ishte president në vend të Joe Bidenit – një pretendim që ai vazhdon ta përsërisë ndërsa tani përpiqet t’i japë fund të dy luftërave.

    Të martën, Trump shprehu përsëri zhgënjimin me rezistencën e Putinit ndaj një marrëveshjeje paqeje, duke u ankuar se udhëheqësi rus po hidhte “shumë budallallëqe” ndaj SHBA-së.

    “Nuk jam i kënaqur me Putinin”, tha ai gjatë një takimi të kabinetit. “Jam shumë i pakënaqur me të”. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!