Vedat Muriqi do të vazhdojë të luajë në Spanjë, duke i hedhur poshtë përfundimisht spekulimet për një rikthim të mundshëm në Turqi.
Futbollisti kosovar e ka vazhduar kontratën për dy vjet të tjerë me Mallorcën, që nënkupton se ai do të jetë i lidhur me klubin ishullor spanjoll deri në vitin 2029.
31-vjeçari ishte transferuar më Mallorca në janar të vitit 2022 pas një eksperience dëshpëruese që e kishte në Itali me Lazion.
Me përkushtimin dhe me golat e tij jo vetëm që kontribuoi ndjeshëm në rrugëtimin e vështirë për të mbetur në ligë në atë vit, por gjithashtu e fitoi shpejt dashurinë e të gjithë tifozëve të Mallorcas, të cilët e festuan faktin që klubi arriti ta mbante atë si lojtar të vetin në atë verë.
E në sezonet pasuese përfaqësuesi kosovar dha po ashtu kontribut.
Prizrenasi i ka zhvilluar 118 ndeshje me fanellën e kuqe, ndërsa i ka realizuar 35 gola dhe i ka bërë 11 asistime.
“Mbi të gjitha, ndiej krenari dhe kënaqësi. Është një nder të vazhdoj ta shijoj këtë ëndërr me këta njerëz këtu dhe të vazhdoj të rritem me ta. Për mua kjo nënkupton shumë. Për këtë jam i kënaqur që do të vazhdoj për dy vjet të tjerë me Mallorcan. Pa dyshim, të vija këtu ishte vendimi më i mirë që e kam marrë në jetën time. Mallorca, për mua, është ëndrra më e bukur që e kam shijuar në jetën time. Dhe këtë nuk do ta ndryshoj kurrë”, deklaroi Muriqi.
Historia e “Piratit” do të vazhdojë të shkruhet në Mallorca. /Express/