×
  • Lajme
  • Botë

    Dikush u shtir si Marco Rubio, pas incidentit DASH-i forcon sigurinë kibernetike

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 12:42

    Departamenti i Shtetit i SHBA-ve ka deklaruar se po forcon masat e sigurisë kibernetike pasi një mashtrues përdori inteligjencën artificiale për të imituar sekretarin e shtetit Marco Rubio dhe për të kontaktuar të paktën tre ministra të jashtëm.

    Zëdhënësja Tammy Bruce tha se departamenti ishte “në dijeni të këtij incidenti dhe aktualisht po monitoron dhe adreson çështjen”.

    “Departamenti e merr seriozisht përgjegjësinë e tij për të mbrojtur informacionin dhe po ndërmerr vazhdimisht hapa për të përmirësuar qëndrimin e sigurisë kibernetike të departamentit për të parandaluar incidente të ardhshme“, tha Bruce, duke shtuar se nuk mund të jepte më shumë detaje “për arsye sigurie”.

    Në atë që mediat amerikane e konsiderojnë një shkelje të turpshme të sigurisë, imituesi i Rubio-s ka kontaktuar ministrat e jashtëm të disa vendeve (që nuk janë bërë të ditura), një guvernator amerikan dhe një anëtar të Kongresit, duke u dërguar atyre mesazhe zanore dhe me tekst, sipas gazetës Washington Post. Personi ka përdorur softuer me inteligjencë artificiale për të imituar zërin dhe stilin e të shkruarit të Rubio-s.

    Një telegram i Departamentit të Shtetit, i datës 3 korrik dhe i cituar nga disa media amerikane, thotë se autoritetet besojnë se qëllimi i sulmit ishte manipulimi i zyrtarëve qeveritarë “me synimin për të fituar akses në informacion apo llogari”.

    Personi përdorte si mesazhet me tekst ashtu edhe aplikacionin e mesazheve Signal për të kontaktuar ministrat e jashtëm dhe zyrtarë të tjerë. Fushata filloi në mesin e muajit qershor kur mashtruesi krijoi një llogari në Signal duke përdorur emrin “Marco.Rubio@state.gov” për të kontaktuar diplomatë dhe politikanë të huaj dhe vendas.

    FBI njoftoi se që nga prilli, aktorë keqdashës kishin imituar zyrtarë të lartë amerikanë për të synuar individë, “shumë prej të cilëve janë zyrtarë të lartë aktualë ose ish-zyrtarë të lartë federalë ose shtetërorë të qeverisë amerikane dhe kontaktet e tyre”. Sipas agjencisë, fushata kishte për qëllim “të nxirrte informacion apo fonde”.

    Agjencia tha se aktorët kishin dërguar mesazhe me tekst dhe mesazhe zanore të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, teknika të njohura si “smishing” dhe “vishing“, përkatësisht duke pretenduar se vijnë nga një zyrtar i lartë amerikan.

    Rubio është synuar në këtë mënyrë më parë. Në pranverë, u shfaq një video e rreme në rrjetet sociale që tregonte sekretarin e shtetit duke thënë se donte t’i ndërpriste Ukrainës aksesin në shërbimin e internetit Starlink të biznesmenit Elon Musk. Qeveria ukrainase më vonë e hodhi poshtë këtë pretendim.

    Në maj, Wall Street Journal raportoi se dikush kishte hakuar telefonin e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe kishte filluar të telefononte dhe t’u dërgonte mesazhe senatorëve, guvernatorëve dhe drejtuesve të biznesit, duke u shtirur sikur ishte ajo.

    Shtëpia e Bardhë dhe FBI-ja hetuan incidentin, megjithëse çështja u minimizua nga presidenti Donald Trump, i cili tha se Wiles ishte “një grua e mrekullueshme” që “mund ta përballojë këtë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!