×
  • Lajme
  • Botë

    Presidenti polak kërcënon Ukrainën dhe aleatët perëndimorë me mbylljen e aeroportit: Është i joni

    Reporteri
    10 Korrik 2025 | 20:21

    Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka bërë deklarata të forta lidhur me rolin e Polonisë në mbështetjen e Ukrainës dhe pozicionin e vendit të tij në tryezat ndërkombëtare të vendimmarrjes.

    Në një intervistë të fundit për mediat polake, ai paralajmëroi se Varshava mund të mbyllë aeroportin strategjik të Rzeszów-it, përmes të cilit kalon ndihma perëndimore për Ukrainën.

    “Ukrainasit dhe aleatët e tyre perëndimorë veprojnë sikur aeroporti i Rzeszów-it dhe autostradat tona janë të tyret. Por nuk janë, janë tonat. Nëse dikujt nuk i pëlqen, ne e mbyllim dhe themi ‘lamtumirë’. Po bëjmë rikonstruksion, mbyllim aeroportin dhe le ta dërgojnë ndihmën për Ukrainën nga deti, nga ajri, nuk e di… hidheni me parashutë – gjeni një zgjidhje,” tha Duda me tone të ashpra.

    Presidenti polak theksoi se Polonia ka dhënë ndihmë të jashtëzakonshme për Ukrainën që nga dita e parë e agresionit rus, por kjo mbështetje nuk duhet të merret si e garantuar.

    “Besoj se marrëdhënia ime me Zelensky-n solli përfitime për Poloninë, sidomos në muajt e parë të luftës. Por, a kemi përfituar mjaft nga kjo mbështetje? Jo. Duhej të kishim treguar se nuk mund të injorohemi. Kishte mënyra më të zgjuara për të vepruar, por për fat të keq nuk u zbatuan. Mendoj se ishte gabim,” deklaroi ai.

    Një tjetër pikë kyçe e deklaratave të presidentit Duda ishte përjashtimi i Polonisë nga disa forume ndërkombëtare ku janë marrë vendime mbi dërgimin e ndihmës përmes territorit polak.

    “Nuk ishim të ftuar në disa prej tryezave më të rëndësishme ndërkombëtare. E kam konsideruar skandal. Madje, kam bllokuar konkluzionet e samitit të NATO-s në Vilnius sepse nuk përfshinin Poloninë në vendimmarrje, edhe pse ndihma kalon nëpër territorin tonë,” u shpreh Duda.

    Ai theksoi se kjo nuk është një çështje për t’u diskutuar me Ukrainën, por me aleatët perëndimorë.

    “Nuk ka kuptim ta diskutojmë këtë me Ukrainën. Duhet të flasim me Gjermaninë, me SHBA-të. Duhet të kemi guximin të themi që kemi të drejtë të ulemi në tryezë,” përfundoi presidenti.

    Aeroporti i Rzeszów-it ka qenë një nyje logjistike kyçe për furnizimet ushtarake dhe humanitare drejt Ukrainës që prej shpërthimit të luftës, duke e bërë atë thelbësor në strategjinë e NATO-s dhe BE-së për mbështetjen e Kievit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!