Katari po luan një rol kyç në përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Zyrtarët e Katarit dhe ata egjiptianë po zhvillojnë prej pesë ditësh bisedime indirekte në Doha.

Delegacionet ndodhen në ndërtesa të ndara, me përfaqësuesit izraelitë që përfshijnë zyrtarë të lartë të ushtrisë, Mossad-it dhe zyrës së Kryeministrit Netanyahu, ndërsa pala tjetër drejtohet nga zëvendëskomandanti i Hamasit, Khalil al-Hayya.

Zëdhënësi i qeverisë së Katarit, Majed bin Mohammed Al Ansari, tha për Corriere della Sera se bisedimet po avancojnë mbi bazën e një “kuadri të fortë” që synon arritjen e një armëpushimi 60-ditor dhe lirimin e pengjeve. Ai theksoi se armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit ka krijuar një atmosferë pozitive për të çuar përpara negociatat.

Reklamë

“Nuk janë ende negociata formale, por po punojmë përmes ‘bisedimeve të afërsisë’, ku delegacionet nuk ndodhen në të njëjtën dhomë, por ndërmjetësohen në kohë reale nga ekipi ynë,” tha Al Ansari. Ai shtoi se “çdo detaj po shqyrtohet me kujdes”, ndërsa nuk dha një afat të saktë kohor për përfundimin e procesit.

Lidhur me pretendimet se sulmi iranian ndaj bazave në Katar ka qenë i koordinuar me Dohën, Al Ansari i hodhi poshtë me forcë këto aludime.

“Kjo është plotësisht e pavërtetë. Mbrojtja jonë ajrore, në bashkëpunim me SHBA-të, rrëzoi 18 nga 19 raketat e lëshuara drejt territorit tonë. Nuk ishte as e toleruar dhe as e parapërgatitur,” u shpreh ai.

Zëdhënësi i Katarit konfirmoi gjithashtu se vendi i tij ka ndërmjetësuar edhe në marrëveshjen për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, pas një thirrjeje direkte nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Kemi zgjedhur të punojmë për paqen dhe sigurinë rajonale në vend të përshkallëzimit ushtarak,” tha ai.

Reklamë

Sa i përket të ardhmes së Gazës pas luftës, Al Ansari deklaroi se “palestinezët nuk mund të privohen nga autonomia e tyre” dhe se zgjidhja afatgjatë duhet të përfshijë forcimin e Autoritetit Palestinez në të gjitha territoret.

Bisedimet në Doha vijojnë në kushte të larta sigurie dhe me ndërmjetësim të vazhdueshëm nga Katari dhe Egjipti, ndërkohë që sytë e bashkësisë ndërkombëtare mbeten të përqendruar te mundësia e arritjes së një marrëveshjeje historike për Gazën.