Gati 300 civilë janë vrarë në bastisje të përgjakshme të fshatrave në shtetin North Kordofan të Sudanit, të kryera nga forcat paramilitare Rapid Support Forces (RSF), sipas aktivistëve sudanezë të të drejtave të njeriut.

Siç raporton The Guardian, sulmet nisën të shtunën në disa fshatra përreth qytetit Bara, një zonë e kontrolluar nga RSF. Grupi i juristëve për të drejtat e njeriut “Emergency Lawyers” njoftoi të hënën se vetëm në fshatin Shag Alnom u vranë mbi 200 persona, shumica prej tyre të djegur ose të ekzekutuar me armë zjarri. Në bastisjet në fshatra të tjera u vranë 38 civilë të tjerë, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Të dielën, sipas të njëjtit burim, RSF sulmoi edhe fshatin Hilat Hamid, duke vrarë 46 persona të tjerë, mes tyre gra shtatzëna dhe fëmijë. OKB konfirmoi se mbi 3 mijë e 400 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si pasojë e dhunës.

Reklamë

“Është vërtetuar se këto fshatra të goditura nuk kishin asnjë objektiv ushtarak, çka dëshmon qartë për natyrën kriminale të këtyre krimeve, të kryera në shpërfillje të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar”, thekson deklarata e Emergency Lawyers, duke e vendosur përgjegjësinë mbi drejtuesit e RSF.

Forcat sudaneze të armatosura mbajnë nën kontroll pjesën qendrore dhe lindore të vendit, ndërsa RSF përpiqet të konsolidojë kontrollin në perëndim, përfshirë North Kordofan.

SHBA dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë akuzuar më herët RSF për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, duke denoncuar edhe bastisjet e dhunshme të kryera nga trupat e saj në territorin e zaptuar. Nga ana e saj, drejtuesia e RSF ka premtuar të ndëshkojë fajtorët për këto akte.

Lufta civile në Sudan, e cila ka shpërthyer që nga prilli 2023, ka gjeneruar një nga krizat më të mëdha humanitare në botë, duke shtyrë mbi gjysmën e popullsisë drejt urisë ekstreme dhe përhapjes së sëmundjeve si kolera. Kriza është përkeqësuar nga tkurrja globale e fondeve të ndihmës humanitare.