Një zjarr i madh ka shkatërruar skenën kryesore të festivalit të famshëm të muzikës elektronike Tomorrowland në Belgjikë, vetëm dy ditë para nisjes zyrtare të eventit, raporton BBC.

“Për shkak të një incidenti serioz dhe një zjarri në Mainstage të Tomorrowland, skena jonë e dashur është dëmtuar rëndë,” thanë organizatorët të mërkurën mbrëma përmes një deklarate zyrtare.

Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura.

Reklamë

Festivali pritej të fillonte këtë të premte në qytetin Boom, në jug të Antwerp-it, me pjesëmarrjen e rreth 400 mijë njerëzve gjatë dy fundjavave të ardhshme.

Zjarrfikësit arritën në vendngjarje rreth orës 18:00 me orën lokale (16:00 GMT). Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë tym të dendur gri që mbulon skenën madhështore, një nga simbolet kryesore të festivalit.

Autoritetet lokale po punojnë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt shtëpive përreth dhe pyjeve të zonës. Disa banorë janë evakuuar si masë paraprake sigurie.

Në një përditësim të fundit, organizatorët njoftuan se kampingu i festivalit do të hapet të enjten siç ishte planifikuar dhe se po punohet intensivisht për të gjetur zgjidhje që festa të vazhdojë gjatë fundjavës.