Një traktat miqësie, i pari pas Luftës së Dytë Botërore, u nënshkrua mes Britanisë dhe Gjermanisë. Traktati thellon lidhjet në fusha që variojnë nga mbrojtja te transporti dhe shënon udhëtimin e parë të kancelarit gjerman Friedrich Merz në Londër.

Në konferencën e shtypit pas ceremonisë së nënshkrimit, kryeministri i Britanisë, Keir Starmer dhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, premtuan më shumë mbështetje për Ukrainën. Traktati përfshin një klauzolë për të dhënë ndihmë të ndërsjellë në rast agresioni, kjo “në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.”

“Së bashku, nënshkruam Traktatin e Kensingtonit, traktatin e parë të madh dypalësh. Është shprehje e qëllimeve dhe vlerave tona të përbashkëta. Është një plan praktik pune, që përcakton 17 projekte të mëdha ku do të bashkohemi për të dhënë rezultate reale”, tha Starmer.

Reklamë

Traktati mbështet gjithashtu një marrëveshje në fushën e mbrojtjes, të arritur vitin e kaluar, që përfshin zhvillimin e përbashkët të armëve sulmuese me rreze të gjatë veprimi, dhe vjen pasi Franca dhe Britania ranë dakord javën e kaluar për të përforcuar bashkëpunimin mbi arsenalet e tyre përkatëse bërthamore. Kancelari gjerman foli në veçanti për Ukrainën.

“Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura t’i ofrojnë armë Ukrainës, të financuara nga partnerët europianë. Gjermania dëshiron të japë një kontribut të rëndësishëm për këtë,” tha Merz.

Armët që po i dërgohen me urgjencë tani Ukrainës do të zëvendësohen nga Shtetet e Bashkuara dhe për këtë kancelari Merz tha se nevojitet qartësi.