Situata ka dalë jashtë kontrollit në provincën Sweida në jug të Sirisë, nga vazhdimi i përleshjeve midis fiseve beduine dhe forcave të armatosura të pakicës druze.

Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, gjakderdhja e fundit në Sweida la të paktën 321 vetë të vdekur. Viktimat e përleshjeve të fundit u transportuan për të marrë trajtim në një spital fushor në fshatin Deraa.

Përleshjet në disa pjesë të provincës Sweida vazhduan edhe të premten, sipas banorëve. Agjencia shtetërore siriane e lajmeve citoi zëdhënësin e Ministrisë së Brendshme, i cili tha se forcat qeveritare nuk po përgatiten të rihyjnë në provincën Sweida.

Reklamë

Sqarimi erdhi pasi më herët të premten, disa media kryesore rajonale raportuan se forcat qeveritare të Sirisë janë përgatitur të rihyjnë në qytet për të shuar përleshjet e përtëritura midis grupeve të armatosura druze dhe fiseve beduine.

Trupat siriane u tërhoqën nga Sweida pasi u njoftua një armëpushim të mërkurën, por përleshjet rifilluan vonë të enjten midis luftëtarëve të fiseve beduine dhe druzëve, të cilët janë pjesë e një pakice fetare në Siri.

Damasku këtë javë vendosi trupa në Sweida, e cila është ngjitur me territorin e kontrolluar nga Izraeli, në përpjekje për të shuar luftimet më të ashpra brenda Sirisë. Izraeli u përfshi në luftime të mërkurën.

Tel Avivi tha se nuk do ta lejojë qeverinë e udhëhequr nga islamistët e Sirisë të vendosë trupa në jug dhe sulmoi trupat siriane. Gjithashtu, Izraeli goditi Ministrinë e Mbrojtjes të Sirisë dhe goditi pranë pallatit presidencial në Damask.