Arrestohet pas gjashtë vitesh në arrati, oligarku moldav dhe ish-politikani Vladimir Plahotniuc, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe mashtrim.
Financial Times shkruan se biznesmeni, i cili ushtronte ndikim të madh prapa skenave në politikën moldave gjatë viteve 2015–2019, u ndalua në Athinë të martën në kuadër të një Urdhri të Kuq të Interpolit.
“Greqia na informoi se dy shtetas moldavë u ndaluan. Njëri prej tyre është Vladimir Plahotniuc,” thanë të martën autoritetet policore të Moldavisë.
Në vitin 2020, prokuroria moldave e akuzoi biznesmenin për përfshirje në një rast të konsideruar si “vjedhja e shekullit”, në të cilin 1 miliard dollarë u zhdukën nga sistemi bankar i vendit në vitet 2014–2015, një shumë e cila përbënte mbi 10% të PBB-së së Moldavisë në atë kohë.
Urdhri i Kuq i Interpolit liston këto akuza ndaj Plahotniuc: pastrim parash, abuzim me detyrën dhe “krijim ose drejtim të një organizate kriminale”. Biznesmeni 59-vjeçar thuhet se mban shtetësi rumune, moldave, ruse dhe meksikane.
Ai është gjithashtu i kërkuar në Rusi, për pjesëmarrje të dyshuar në nxjerrjen e mbi 500 miliardë rublave (rreth 6.7 miliardë dollarë në atë kohë) nga vendi përmes një banke moldave në vitet 2013–2014, sipas ministrisë së brendshme ruse. Plahotniuc i ka mohuar më parë të gjitha akuzat.
Sipas medias hulumtuese moldave Ziarul de Garda (ZDG), ai u ndalua në aeroportin e Athinës së bashku me një bashkëpunëtor, ndërsa po udhëtonin drejt Dubait.
Plahotniuc u largua nga Moldavia për në SHBA në vitin 2019, pasi partia e tij, Partia Demokratike, u rrëzua nga një koalicion opozitar që përfshinte edhe Partinë e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), e themeluar nga presidentja aktuale Maia Sandu.
SHBA e shpalli shpejt person “non grata” dhe e sanksionoi në vitin 2022. Ai dyshohej se ishte fshehur në Qipron veriore, sipas një raporti të Reuters, ndërsa ZDG raportoi në mars se pasaporta e tij meksikane ishte regjistruar me një emër të rremë. Interpol nxorri Urdhrin e Kuq në shkurt.
“Midis viteve 2015 dhe 2019, Plahotniuc e kontrollonte Moldavinë në hije,” tha Vladimir Solovyov, analist me bazë në Kishinau dhe kontribuues në institutin Carnegie.
“Ato vite konsiderohen gjerësisht si periudhë e kapjes së shtetit, pasi Plahotniuc kontrollonte sistemin gjyqësor, prokurorinë dhe të gjitha bizneset fitimprurëse.”
Arrestimi i tij vjen pak para zgjedhjeve parlamentare në shtator, ku presidentja Sandu shpreson që partia e saj PAS të ruajë shumicën.
“Nëse Plahotniuc transferohet në Republikën e Moldavisë për gjykim dhe për të vuajtur dënimin para zgjedhjeve, kjo padyshim do të ishte një përforcim i rëndësishëm për peshën politike të partisë në pushtet,” tha Solovyov.