Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë pranë arritjes së një marrëveshjeje tregtare që parashikon vendosjen e një tarife 15% për importet evropiane, në përpjekje për të shmangur një luftë të re tregtare. Marrëveshja do të pasonte atë që Presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi këtë javë me Japoninë dhe shihet si një zgjidhje kompromisi për të shmangur rritjen e mundshme të tarifave në 30% nga 1 gushti.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, shumica e vendeve anëtare të BE-së janë të gatshme ta pranojnë këtë marrëveshje, edhe pse me rezerva.
“Marrëveshja me Japoninë i bëri të qarta kushtet e presionit. Shumica e shteteve po e pranojnë me hundën mbyllur”, tha një diplomat evropian.
Marrëveshja e re do të përfshijë gjithashtu heqjen e tarifave për disa produkte specifike, si avionët, pijet alkoolike dhe pajisjet mjekësore. Aktualisht, eksportuesit evropianë po përballen me një tarifë shtesë prej 10% për mallrat e tyre në SHBA, krahas tarifave ekzistuese mesatare prej 4.8%.
Në bazë të skemës së re, tarifa totale 15% do të përfshijë edhe këto tarifa ekzistuese, çka BE e sheh si një mënyrë për të ruajtur status quo-në. Për automjetet, tarifat aktuale prej 27.5% do të bien në 15%.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se një marrëveshje është shumë pranë.
“Po shpresojmë në çdo moment për një vendim”, tha ai nga Berlini, gjatë një takimi me Presidentin francez Emmanuel Macron.
Ndërkohë, BE-ja ka paralajmëruar se do të mbetet e përgatitur nëse Uashingtoni vendos të shkojë më tej me tarifat. Në skenarin më negativ, Brukseli mund të aktivizojë për herë të parë “instrumentin kundër shantazhit” (ACI), i cili do të lejonte ndalimin e kompanive amerikane nga tenderat publike në Evropë, kufizimin e eksporteve dhe revokimin e mbrojtjes së pronësisë intelektuale.
Përveç kësaj, BE-ja po përgatit një paketë masash ndëshkuese prej 93 miliardë eurosh, që do të përfshinte tarifa deri në 30% ndaj produkteve amerikane, në rast se nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 gusht.
Lajmi për marrëveshjen e mundshme ka ndikuar pozitivisht në tregjet financiare. Euroja ka rikuperuar humbjet e mëparshme, ndërsa tregjet amerikane janë rritur, me indeksin S&P 500 që ka shënuar rritje me 0.6%.
Një zyrtar amerikan tha për mediat se situata mbetet dinamike dhe se zhvillimet mund të ndryshojnë në orët dhe ditët në vijim./tvklan/