Pesë persona, përfshirë një vajzë të vogël 2-vjeçare, janë plagosur si pasojë e një tjetër sulmi rus në Kiev. Lajmi është konfirmuar nga policia e kryeqytetit ukrainas dhe është raportuar nga media vendase Ukrainska Pravda.

Sipas autoriteteve, shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar xhamat e një pallati nga kati i gjashtë deri në të njëmbëdhjetin.

“Pesë persona janë plagosur nga copëzat e shpërthimit. Mes tyre është edhe një vajzë 2-vjeçare që ka pësuar plagë në këmbë”, thuhet në deklaratën e policisë.

Reklamë

Më herët gjatë ditës, kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, kishte njoftuar për tetë persona të plagosur në të njëjtën lagje, përfshirë edhe një fëmijë 3-vjeçar, si pasojë e një tjetër sulmi rus.

Ukraina vijon të jetë nën sulme të vazhdueshme nga forcat ruse, me qytetet kryesore që përballen shpesh me rrezikun e sulmeve ajrore, pavarësisht përforcimeve në mbrojtjen ajrore.