Autoriteti Palestinez njoftoi të hënën se aktivisti kundër pushtimit izraelit në Bregun Perëndimor, Awdah Hathaleen, ishte vrarë nga kolonë, ndërsa policia izraelite deklaroi për rastin kishte nisur një hetim, pa konfirmuar nëse ishte vrasje.

“Ministria e Arsimit dhe komuniteti arsimor vajtojnë dëshmorin Awdah Muhammad Hathaleen”, deklaroi ministria në rrjetet sociale. “Mësuesi u vra nga kolonët më 28 korrik 2025 gjatë sulmit të tyre ndaj fshatit Umm al-Khair pranë Hebronit, në jug të Bregut Perëndimor”, thuhet më tej.

Awdah Hathaleen kishte bashkëpunuar në dokumentarin e vlerësuar me Oscar së fundmi, “No Other Land”, që trajton luftën e palestinezëve në këtë rajon, komentoi bashkëregjisori Yuval Abraham.

Reklamë

Policia izraelite raportoi më herët për nisjen e një hetimi pas një “incidenti të ndodhur pranë lokalitetit Carmel”, një koloni afër Umm al-Khair. “Një qytetar izraelit u ndalua në vendngjarje dhe më pas u arrestua nga policia për t’u marrë në pyetje. Pas ngjarjes, u konstatua vdekja e një palestinezi. Pjesëmarrja e tij e saktë në incident është ende duke u verifikuar”, thuhet në komunikatë.

Reklamë

Awdah Hathaleen ishte banor i rajonit Massafer Yatta, në jug të Hebronit. Bashkë me fqinjët, ai kishte kontribuar në sensibilizimin për fatin e këtij rajoni të shpallur zonë ushtarake nga Izraeli. Pas një beteje të gjatë ligjore, Gjykata e Lartë izraelite vendosi në vitin 2022 në favor të ushtrisë, duke hapur rrugën për dëbimin e banorëve nga tetë fshatra të vendosur në këtë rajon.

Mediat izraelite kanë përmendur një grindje të ndjekur nga hedhje gurësh. Rreth tre milionë palestinezë jetojnë në Bregun Perëndimor krahas rreth gjysmë milion izraelitëve që banojnë në koloni, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.

Dhuna është shtuar në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza, e shkaktuar nga një sulm i paprecedentë i Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor 2023. Të paktën 962 palestinezë, përfshirë shumë luftëtarë, por edhe shumë civilë, janë vrarë nga ushtarë ose kolonë izraelitë, sipas një përllogaritjeje të AFP bazuar në të dhënat e Autoritetit Palestinez.

Të paktën 36 izraelitë, përfshirë civilë dhe ushtarë, janë vrarë në sulme palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake izraelite, sipas të dhënave zyrtare izraelite.

Reklamë

*Kolonët i referohet personave që vendosen në një territor të huaj, shpesh në kontekste politike ose ushtarake, si në rastin e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.