Ky paralajmërim i kryeministrit britanik Keir Starmer se do të njohë në shtator shtetin e Palestinës, nëse Izraeli nuk i jep fund tmerrit në Gaza dhe nuk pranon armëpushimin, është kundërshtuar ashpër nga shefi i qeverisë izraelite Benjamin Netanjahu.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin X nga zyra e tij, Netanjahu shprehet se me këtë paralajmërim

“Starmer po shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit dhe ndëshkon viktimat e tyre.”

Reklamë

Sipas kryeministrit izraelit “Një shtet xhihadist në kufijtë e Izraelit sot, do të kërcënojë nesër Britaninë e Madhe.”

Gjatë kthimit me avion në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se nuk e kishte diskutuar me kryeministrin britanik këtë çështje gjatë takimit të tyre. Megjithatë, për shefin e Shtëpisë së Bardhë, kjo më tepër shpërblen Hamasin se i bën presion Izraelit.

Ndërsa autoriteti palestinez e quajti hapin e parë kuptimplotë në ndreqjen e një padrejtësie. Më herët gjatë kësaj jave, edhe presidenti francez Emanuel Macron tha se në shtator do të njohë shtetin palestinez.