Të paktën 15 persona, përfshirë fermerë dhe fëmijë, u vranë të enjten, 31 korrik, në verilindje të Nigerisë gjatë një sulmi të armatosur të kryer nga luftëtarë të Shtetit Islamik në Afrikën Perëndimore (ISWAP), i ndjekur më pas nga një shpërthim me mina. Lajmi u konfirmua për agjencinë AFP nga dy pjesëtarë të milicive lokale që luftojnë kundër xhihadistëve.
Sipas dëshmive, militantët hapën zjarr ndaj një grupi fermerësh dhe fëmijësh që po udhëtonin me një kamionçinë të hapur dhe një motor në afërsi të fshatit Gurnowa, pranë qytetit garnizon të Mongunos. Pas sulmit, një grua dhe tre fëmijët e saj humbën jetën pasi karroca me të cilën po përpiqeshin të largoheshin, shkeli mbi një minë tokësore të vendosur nga xhihadistët.
“Burrat tanë transportuan trupat e 11 viktimave në Monguno, ndërsa një tjetër ekip shkoi për të marrë trupin e gruas dhe fëmijëve të saj,” deklaroi Babakura Kolo, një udhëheqës i një milicie anti-xhihadiste që mbështet ushtrinë nigeriane në rajon.
Sipas tij, viktimat ishin duke u kthyer në qytet pasi kishin punuar në arat e tyre kur u zunë pritë nga militantët. Ata morën me vete edhe kamionçinën dhe motorin e viktimave. Ibrahim Liman, një tjetër anëtar i milicisë, konfirmoi bilancin dhe shtoi se “gruaja dhe fëmijët ishin nisur për në shtëpi pas të shtënave, por ranë mbi një mjet shpërthyes të vendosur nga terroristët, duke vdekur në vend.”
Një gazetar i AFP, pasi pa imazhet e viktimave, raportoi se shumica ishin ekzekutuar me plumb në kokë, përfshirë dy gra dhe dy fëmijë.
Fshati Gurnowa, që ndodhet rreth pesë kilometra nga qyteti i fortifikuar Monguno, ka mbetur i braktisur prej vitesh për shkak të sulmeve të njëpasnjëshme xhihadiste. Banorët janë strehuar në kampe të improvizuara në Monguno, ku sot jetojnë dhjetëra mijëra persona të zhvendosur brenda vendit, nën mbrojtje ushtarake.
Grupi ISWAP dhe rivali i tij, Boko Haram, kanë shtuar së fundmi sulmet kundër bazave ushtarake në verilindje të Nigerisë, veçanërisht në shtetin e Bornos, epiqendër e konfliktit që zgjat prej vitit 2009.
Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi një milion njerëz janë të rrezikuar nga uria në këtë rajon për shkak të rikthimit të dhunës, rënies së ndihmës ndërkombëtare dhe rritjes së kostos së jetesës. Konflikti ka shkaktuar mbi 40 mijë viktima dhe më shumë se dy milionë të zhvendosur.