Një punim kërkimor që parashikon se inteligjenca artificiale do të ndryshojë gjithçka për njerëzimin në vitin 2027 dhe se kjo do të bëjë që njerëzit të zhduken brenda dhjetë viteve, ka shpërthyer në botën e teknologjisë.

Një grup ekspertësh me ndikim në fushën e AI kanë publikuar detajet e asaj që mund të ndodhë, në një skenar të quajtur “AI2027”, i cili ka shkaktuar video virale dhe shumë diskutime mes njerëzve që po përpiqen ta analizojnë dhe kuptojnë nëse ky skenar është i mundur.

Duke përdorur mjete kryesore të AI-së gjenerative, edhe BBC ka krijuar disa skena bazuar në këtë skenar të publikuar nga studimi, për të treguar parashikimet. Ata gjithashtu kanë folur me disa ekspertë për ndikimin që ka pasur ky punim.

Reklamë

Çfarë ndodh në këtë skenar?

Sipas studimit, në vitin 2027 – që është vetëm dy vjet larg – një kompani teknologjike fiktive amerikane e quajtur OpenBrain ndërton një AI që arrin nivelin AGI (Artificial General Intelligence) – një arritje madhore ku inteligjenca artificiale mund të kryejë çdo lloj pune intelektuale më mirë se njerëzit.

Kompania feston me konferenca për shtyp dhe fitimet e saj rriten pasi njerëzit e përqafojnë këtë teknologji. Por, sipas studimit, ekipi i sigurisë së brendshme i kompanisë vëren shenja se kjo AI po humbet interesin për moralin dhe etikën për të cilat ishte programuar.

Kompania i injoron paralajmërimet për ta ndalur, sipas skenarit.

Në atë vijë kohore fiktive, një konglomerat rival i AI-së në Kinë, i quajtur DeepCent, është vetëm disa muaj pas OpenBrain.

Reklamë

Siç e paraqet skenari, qeveria e SHBA-së nuk dëshiron të humbasë garën për të ndërtuar AI edhe më të zgjuar, ndaj vazhdon ta zhvillojë dhe financojë, duke ndezur konkurrencën. Deri në fund të vitit 2027, AI-ja bëhet superinteligjente – duke kapërcyer aftësitë e njerëzve që e krijuan.

Nuk ndalet më kurrë së mësuari dhe krijon një gjuhë kompjuterike të re, të cilën nuk mund ta kuptojnë as versionet e mëparshme të AI-së.

Konkurrenca me Kinën për të pasur epërsi në AI bën që kompania dhe qeveria e SHBA të injorojnë paralajmërimet për t. ashtuquajturën “mos-përputhje” – një term që përshkruan kur prioritetet e makinës nuk përputhen me ato të njerëzve.

Skenari parashikon që në vitin 2029 tensionet mes Kinës dhe SHBA-së do të arrijnë në prag të një lufte, pasi AI-të e të dy vendeve zhvillojnë armë autonome që frikësojnë njerëzit. Por studiuesit imagjinojnë se të dy vendet do të arrijnë paqe përmes një marrëveshjeje që vetë AI-të e tyre negociojnë, duke bashkuar forcat për të mirën e njerëzimit.

Reklamë

Gjërat shkojnë mirë për disa vite dhe bota përjeton përfitime të mëdha nga AI superinteligjente që udhëheq fuqinë punëtore robotike. Sipas skenarit, zbulohen kura për shumicën e sëmundjeve, ndryshimet klimatike përmbysen dhe varfëria zhduket.

Por eventualisht, diku nga mesi i viteve 2030, njerëzit bëhen një pengesë për ambiciet e AI-së për t’u zhvilluar më tej.
Studiuesit mendojnë se AI do të vrasë njerëzit duke përdorur armë biologjike të padukshme.

Çfarë thonë njerëzit për AI2027?

Megjithëse disa e hedhin poshtë AI2027 si një fantashkencë, autorët e këtij punimi janë emra të respektuar dhe janë pjesë e organizatës jofitimprurëse AI Futures Project, që ka për qëllim të parashikojë ndikimin e AI në të ardhmen.

Reklamë

Daniel Kokotajlo, autori kryesor i AI2027, ka marrë lëvdata më parë për parashikime të sakta që ka bërë rreth momenteve kyçe në zhvillimin e AI-së.

Një ndër kritikët më të mëdhenj të AI2027 është shkencëtari amerikan kognitiv dhe shkrimtari Gary Marcus, i cili thotë se skenari nuk është i pamundur, por është jashtëzakonisht i pamundshëm të ndodhë së shpejti.

“E bukura e dokumentit është se pikturon një pamje shumë të qartë që i bën njerëzit të mendojnë – dhe kjo është diçka e mirë – por nuk do ta merrja seriozisht si diçka që ka gjasa të ndodhë.”

Marcus thotë se ka probleme më serioze me AI-në sesa kërcënimi ekzistencial, si për shembull ndikimi i saj në vendet e punës.

Reklamë

“Besoj se thelbi i raportit është se ka shumë mënyra se si AI mund të shkojë keq. Po bëjmë ne gjërat e duhura në lidhje me rregulloret dhe traktatet ndërkombëtare?”

Ai dhe të tjerë kritikojnë gjithashtu faktin që punimi nuk shpjegon se si AI arrin atë nivel inteligjence dhe aftësish.
Ata përmendin zhvillimin e ngadaltë të makinave pa shofer, të cilat janë ekzagjeruar për vite me radhë.

Po në Kinë, flitet për AI2027?

Në Kinë, njerëzit nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi këtij punimi, sipas Dr. Yundan Gong, profesoreshë e asociuar në Ekonomi dhe Inovacion në King’s College London, e specializuar në teknologjinë kineze.

“Shumica e diskutimeve për AI2027 janë në forume informale apo blogje personale që e shohin si gjysmë-fantashkencë. Nuk ka ndezur debatet apo vëmendjen politike që ka pasur në SHBA,” thotë ajo.

Dr. Gong përmend gjithashtu ndryshimin e perspektivës mbi garën për epërsi në AI mes Kinës dhe SHBA-së.
Në një Konferencë Botërore për AI në Shanghai këtë javë, Kryeministri kinez Li Qiang prezantoi një vizion ku vendet bashkëpunojnë për të promovuar bashkëpunimin global në inteligjencën artificiale.

Lideri kinez tha se dëshiron që Kina të ndihmojë në koordinimin dhe rregullimin e kësaj teknologjie.

Deklarata e tij erdhi vetëm disa ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump publikoi Planin e Veprimit për AI, që synon të sigurojë që SHBA të “dominojë” në AI.

“Është një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara që të arrijë dhe të ruajë dominimin teknologjik botëror, të padiskutueshëm dhe të paprekshëm,” thuhet në dokument.

Plani kërkon të “heqë çdo pengesë dhe rregullore” për përparimin e AI në SHBA.

Fjalët e tij përputhen me skenarin e AI2027 ku politikanët amerikanë e vendosin fitoren në garën për AI përpara shqetësimeve për humbjen e kontrollit ndaj makinave.

Çfarë thotë industria e AI-së për AI2027?

Duket sikur CEO-t e kompanive të mëdha të AI-së, të cilët garojnë vazhdimisht për të nxjerrë modelin më të zgjuar, po e injorojnë ose shmangin me qëllim këtë punim.

Vizioni i këtyre gjigandëve të teknologjisë për të ardhmen e AI-së është shumë ndryshe nga ai i përshkruar në AI2027.

Sam Altman, krijuesi i ChatGPT, së fundmi tha se “njerëzit janë pranë ndërtimit të një superinteligjence digjitale” që do të sjellë një “revolucion të butë” dhe një utopi teknologjike pa rrezik për njerëzimin.

Gjithsesi, është interesante se edhe ai pranon që ekziston një “problem i përputhjes” (alignment problem), të cilin duhet ta zgjidhin që këto makina superinteligjente të jenë në përputhje me vullnetin dhe vlerat njerëzore.

Sido që të shkojnë gjërat në dhjetë vitet e ardhshme, nuk ka dyshim se gara për të ndërtuar makina më të zgjuara se njerëzit ka nisur tashmë dhe është në vazhdim. /Reporteri.net/.