Ministri në detyrë, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se qarkullimi i bizneseve rritet nga rritja e çmimeve, kjo pas një postimi paraprak që kishte bërë Murati i cili kishte thënë se qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të 2025-tës ka shënuar rekord prej 10.7 miliardë eurove.
Murati në postimin e dytë të tij në Facebook ka shkruar se ekonomistët e LDK-së nëse duan të ofrojnë kundëragumentin e inflacionit, do duhej të kishin njohuritë e mjaftueshme, por sipas tij nuk e bëjnë një gjë të tillë pasi nuk dijnë ta bëjnë llogaritjen, shkruan Reporteri.net.
Postimi i plotë i Muratit:
Ekonomistët e LDK-së nëse duan të ofrojnë kundëragumentin e inflacionit, do duhej të kishin njohuritë e mjaftueshme që të bëjnë përllogaritjen e shifrave të përshtatura për inflacion (adjusted for inflation).
Por nuk e bëjnë asnjëherë – ose sepse nuk dijnë ta bëjnë llogaritjen, ose dijnë ama atëherë do ta humbnin argumentin se do u duhej ta pranonin që edhe kur hiqet inflacioni del se ka rritje të theksuar – e kundërta e asaj që ata vazhdimisht proklamojnë rrejshëm.
Dhe kur jemi te rritja e çmimeve, rritja më e madhe ka ndodhur tek produktet bazike ushqimore, një pjesë si rezultat i rritjes globale të çmimeve, por pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur si rezultat i pangopshmërisë së supermarketeve – gjë që dëshmohet edhe me rritjen e fitimit neto të tyre.
Dhe ishte pikërisht LDK-ja me ekonomistët e saj, që sot derdhin lot krokodili për inflacionin, të cilët e kundërshtuan Ligjin për Çmime Tavan, për të mundësuar supermarketet të rrisnin çmimet në kurriz të qytetarëve.