Uashingtoni po bën përpjekjet e fundit për të bindur Moskën të ndalë luftën në Ukrainë para skadimit të ultimatumit 10-ditor që Donald Trump i vuri Vladimir Putinit më 30 korrik, në mënyrë që të shmangë një paketë të re sanksionesh të ashpra.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i tij, do të takohet me Vladimir Putinin në Rusi. Takimi pritet të zhvillohet të mërkurën ose të enjten, dy ditët e fundit para skadimit të ultimatumit.

I pyetur se çfarë do t’i propozojë Witkoff Putinit, Trump tha shkurt: “Bëj një marrëveshje që ndalon vrasjen e njerëzve.”

Reklamë

Trump beson se Putini do të pranojë një marrëveshje për të shmangur sanksionet. “Ata duken shumë të zotët në shmangien e sanksioneve. Janë dinakë.”

Sipas mediave amerikane, nëse ultimatumi ndaj Putinit dështon në arritjen e një armëpushimi, strategjia e Trump është të godasë me sanksione blerësit e mëdhenj të drejtpërdrejtë të naftës nga Rusia, si Kina dhe India, ndaj të cilës është shtuar ditët e fundit presioni nga administrata amerikane.

Sulmet ukrainase me dronë ndaj qyteteve ruse në fundjavë vijuan edhe në orët e para të kësaj të hëne, ku u godit një stacion treni në Volgograd.