×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Abdixhiku: Kushtetuesja i dha të drejtë të plotë kërkesave tona – një fitore e madhe e demokracisë

    Reporteri
    08 Gusht 2025 | 13:42

    Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur fitore të madhe të demokracisë dhe Republikës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e kësaj partie për ngërçin institucional.

    Abdixhiku ka thënë se Kushtetuesja i dha të drejtë të plotë kërkesave dhe lëndës së hartuar nga LDK, shkruan Reporteri.net.

    “Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i fshehtë nuk pranohet”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka thënë se përgjatë këtyre muajve, Kosova humbi kohë.

    “Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje. Dritë, megjithatë do të ketë”, thuhet në postim.

    Ndryshe, Kushtetuesja ka vendosur se deputetët duhet të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur, teksa seancat e mbajtura deri tash janë shpallur të pavlefshme.

    Sipas Kushtetueses, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, dhe “rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Kushtetuesja e ka publikuar vetëm njoftimin rreth aktgjykimit, teksa Aktgjykimin ka paralajmëruar se do ta publikojë së shpejti dhe se deri atëherë vazhdon masa e përkohshme për seancë.

    “TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim thuhet se votimi mund të realizohet vetëm deri tri herë për kandidatin e njëjtë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!