Në zemër të Berlinit, qindra qytetarë janë hedhur në lumin Spree, duke sfiduar një ndalim gati 100-vjeçar për notin në qytet. Nën një diell përvëlues dhe temperatura që arrinin deri në 29 gradë Celsius, ky nuk ishte vetëm argëtim, por edhe një protestë.
“Është fantastike, kemi mot perfekt, 29 gradë. Uji ishte shumë i këndshëm. Do të doja ta bëja çdo ditë pas punës.”
Tubimi në Spree ishte organizuar nga “Flussbad Berlin”, një shoqatë që prej vitesh lufton për lejimin e notit në qendër të kryeqytetit gjerman.
“Po përballemi me ngrohjen globale. Temperaturat po rriten gjithnjë e më shumë dhe kjo ka ndikuar edhe në shëndetin e njerëzve. Duam që të hiqen pengesat për notin. Këto hapësira mund të shfrytëzohen.”
Noti në lumenjtë e qyteteve është kthyer në një trend ndërkombëtar. Parisi, Amsterdami, Vjena, Bazeli kanë lejuar notin në lumenj. Nju Jorku dhe Londra së shpejti do ta ndjekin shembullin. “Flussbad Berlin” ka monitoruar cilësinë e ujit për vite dhe ka arritur në përfundimin se qyteti duhet t’u rikthehet banorëve.