Egzon Pacolli , kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Prishtinës, përmes një postimi në rrjetet sociale ka kërkuar votën e kryeqytetasve. 

Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli ka theksuar se numri i tij në zgjedhje është 14, një numër simbolik për të, pasi përkon me 14 vitet e tij në LDK. Ai ka kujtuar fillimet e tij në Forumin e Rinisë, ku si i ri kishte dëshirë të mësonte dhe të kontribuonte për partinë dhe qytetin.

“14 janë vitet e mia në LDK, 14 vite që kur hyra për herë të parë në Forumin e Rinisë si një djalë i ri plot dëshirë për të mësuar dhe për të kontribuar. Që atëherë çdo takim, çdo diskutim, çdo ide më ka dhënë mësime të mëdha për punën, për përgjegjësinë dhe për respektin ndaj njerëzve. Kam parë nga afër sfidat e qytetit, por edhe potencialin e tij të jashtëzakonshëm. Kam kuptuar se politika nuk është vetëm me fjalë të mëdha, por angazhim i përditshëm dhe shërbim i sinqertë. Kam përkrahjen e Degës së 4-të, mbështetjen e Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe mbi të gjitha besimin e shumë njerëzve që më kanë parë gjithmonë pranë partisë, pranë qytetit dhe pranë tyre.”, ka shkruar Pacolli.

Reklamë

Ai ka thënë se nuk po e kërkon vetëm votën por edhe mundësinë për të treguar se politika mund të jetë punë e qetë, e ndershme dhe me përkushtim të vërtetë.

“Votën e juaj nuk e shoh si shpërblim, e shoh si provë që dikush të beson. Pas çdo vote shoh një fytyrë, një shpresë, një kujtesë. Unë e shoh si barrë që më mban me këmbë në tokë, më kujton çdo ditë pse jam aty. Po ju kërkoj vetëm një rast, një rast për t’ia kthyer Prishtinës gjithçka që më ka dhënë. Një rast për të treguar se politika mund të jetë punë e qetë, e ndershme dhe me përkushtim të vërtetë. Një rast për t’u siguruar që secili qytetar ndihet i dëgjuar, i përfaqësuar dhe i respektuar. Ky është rrugëtimi im, historia ime dhe premtimi im për Prishtinën.”, ka shkruar ai.

Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor.